Ka ndërruar jetë një nënë që kishte lindur në QKUK.
Një grua nga Vushtrria ka vdekur në QKUK pasi kishte lindur fëmijën e tretë. Fillimisht, gjithçka kishte shkuar mirë por gjendja e saj ishte përkeqësuar një ditë pas lindjes. Burri i Zyrafete Ademit nga fshati Begaj lë fajtor mjekun që e kishte operuar. Mirëpo, mjeku thotë se vdekja e 37 vjeçares ka ndodhur për shkak të probleme me zemër e jo operacionit. Prokuroria ka nisur hetimet dhe po pret raportin e obduksionit.
Shkoi në spital për të lindur djalin e saj të tretë, por që nga aty Zyrafetja nuk u kthye më në shtëpi. Njëra prej ditëve më të lumtura për te dhe familjen e saj, u shndërrua në tragjedi.
Bashkëshorti i saj, Hysni Ademi, ia ka lënë fajin mjekut që e ka operuar gruan e tij.
Ai e fajëson mjekun Agim Zahiti, se gjatë operacionit i ka dhënë anestezion edhe pasi është kryer lindja.
Në anën tjetër, mjeku Agim Zahiti, për Express ka thënë se vdekja e Zyrafetes nuk ka ardhur si pasojë e lindjes. Por për shkak të sëmundjeve të zemrës të njohur si ‘kardiopulmunale’.
“Ajo është dashtë me u operu, janë bërë analizat, me lejen e anesteziologut kemi hy në operacion. Nuk ka vdekë si pasojë e operacionit ka qenë krejt në rregull, ka vdekë si pasojë e sëmundjeve kardiopulmonale. I është dhënë anestezioni spinal, para se me fillu e kemi pyet a po i ndien dhimbjet, ka tregu që po i ndien edhe e ka pi krejt, do të thotë nuk e ka kapë anestezioni spinal dhe e kanë shti në të përgjithshëm, se s’shkon me ja dhanë anestezionin pas lindjes”, ka thënë Zahiti.
Ndërkaq prokurori Njazi Rexha i cili është duke e hetuar këtë rast, ka thënë se nuk mund të thotë asgjë deri në marrjen e analizave nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.
“Deri në marrjen e autopsisë nuk mund të themi asgjë për këtë rast”, ka thënë Rexha.
Sidoqoftë, burri i Zyrafetes jep versionin e tij për ngjarjen.
“Në ora nëntë ka fillu operacioni, pas gjysmë ore e ka lindë beben. Gruan e kanë lanë në intensivë deri kah ora 12:00. Kur e kam taku pas lindjes, ka qenë pak e lodhun por nuk ka qenë keq, ka folë me mu, më ka tregu krejt qysh ka shku operimi. Një anestezion ia kanë dhanë, por gjatë operimit gruaja i ka dëgju mjekët krejt kur e kanë operu, kur ja kanë nxjerrë beben, kështu më ka thanë, iu ka tregu edhe mjekëve që i ka ndje krejt dhimbjet, e pas lindjes mjeku ia ka dhanë edhe një anestezion tjetër”, shpjegon Hysniu.
Ai tregon se gjendja e gruas fillimisht është përmirësuar, por më vonë kanë ndodhur përsëri komplikime të cilat kanë bërë që e ndjera të dërgohet në QKUK në Prishtinë.
“Të nesërmen në mëngjes ka qenë mirë, ka folë, më ka kërku me i ҫu pampersa për djalë. Kam shku me e pa, ka qenë e lumtur për djalë, më ka thanë që i paska ngja djalit të dytë. E kam lanë në spital, jam nisë me shku në punë, por kah ora 10:15 më ka thirrë në telefon e më ka tregu që po e çojnë në Prishtinë se i është keqësu gjendja. E kanë dërgu në Gjinekologji në QKUK, por aty nuk e kanë pranu, e prej aty e kanë dërgu në Emergjencë deri në ora 18:00. Prej aty, e kanë dërgu në Kardiokirurgji, kam hy edhe unë me të, më ka thanë që po i vjen mundim e më ka kërku me ja fshi djersët, ka vazhdu me m’tregu që është ka don me u alivanosë”, tregon Hysniu.
E në raportin e vdekjes së Zyrafetes, është shkruar se vdekja është e natyrshme
Në pritje të autopsisë, bashkëshorti i së ndjerës ka thënë që nuk kërkon kurrfarë dëmshpërblimi, por vetëm që të zbardhet e vërteta për vdekjen e saj.
“Unë nuk kërkoj dëmshpërblim, se ajo ma nuk ngjallet, por kërkoj që ky mjek me e marrë dënimin e merituar që mos me i ndodhë askujt kjo që na ndodhi neve”, ka thënë Hysniu.