Milani i vendosur ta ndalojë ecurinë e tmerrshme në derbin kundër Interit
Talljet dëshpëruese u kthyen në brohoritje inkurajuese, edhe pse rezultati ishte ende i keq për AC Milan. Ndryshimi i shpejtë i qëndrimit të tifozëve nuk ishte befasues duke pasur parasysh derbin kundër Interit në orarin e Serie A.
Milani ka pasur një fillim të tmerrshëm të vitit, duke rënë nga vendi i dytë në pozitën e pestë dhe tani ka 15 pikë më pak se lideri i kampionatit italian, Napoli. Në anën tjetër, Interi është ngjitur në vendin e dytë kurse ka 13 pikë më pak se Napoli.
Ndeshja e fundit e Milanit përfundoi me humbje katastrofale, 5:2, ndaj Sassuolos të vendit të 16-të, duke shkaktuar zhurmë e pakënaqësi te turma e tifozëve. Kampioni në fuqi ka pranuar 12 gola në tri ndeshjet e fundit dhe gjithashtu u eliminua nga Kupa e Italisë, si dhe humbi nga Interi në Superkupën e Italisë të luajtur në Arabinë Saudite.
Shfaqja inkurajuese nga tifozët në fund të ndeshjes të dielën u pasua nga një vizitë mbështetëse nga drejtuesit e ekipit, të enjten. Presidenti i Milanit, Paolo Scaroni, dhe drejtori Paolo Maldini, një emër i madh i Milanit, shkuan në terrenin stërvitor me drejtorët e tjerë të klubit. Ata shikuan seancën stërvitore të paradites dhe pastaj hëngrën drekë me futbollistët.
“Ne kemi besim jashtëzakonisht të madh tek ju. E ndiejmë një lidhje të fortë që e kemi krijuar dhe duam të dëshmojmë se jemi me ju edhe në fushë”, ishin fjalët e presidentit Scaroni.
Disfata nga Sassolo ishte më e thella që Milani e përjetoi në stadiumin “San Siro” prej vitit 1997, kur u mposht 6:1 nga Juventusi. Po ashtu, ishte hera e parë që Milani pranoi katër gola në dy ndeshje rresht. Para Sassuolos u mposht edhe nga Lazio, 4:0.
“Ne kemi një problem të madh si mendërisht ashtu edhe taktikisht, kështu që kemi punuar edhe më shumë dhe besoj se këtë periudhë do ta kapërcejmë në ndeshjen derbi kundër Interit. Mendoj se vetëm triumfi në këtë përballje është ilaçi i duhur për ne”, tha trajneri Stefano Pioli.
Të njëjtit lojtarë të Milanit që merrnin komplimente nga e gjithë Evropa për stilin e lojës dhe shpirtin ekipor sezonin e kaluar tani duken të humbur dhe thjesht pa përgjigje.
“Ne duhet të përfitojmë sa më shumë nga fakti se kemi një ndeshje të madhe që na pret. Duelet e mëdha janë sigurisht shumë të vështira, por sa më i lartë të jetë motivi për t’u ngjitur në tabelë, aq më i lartë është shpërblimi”, tha Pioli. “Ne kemi nevojë për këtë lloj mendësie”.
Dueli mes Interit dhe Milanit zhvillohet të dielën prej orës 20:45 dhe i takon xhiros së 21-të në kampionatin e Italisë.