Conte deklarohet para ndeshjes me Getafen.
Gati për t’u rinisur, pas dy ditësh që kanë trazuar botën e Interit. Këtë të mërkurë, në Gelsenkirschen, është sfida e 1/8 të Europa League në një takim të vetëm kundër Getafes. Ndeshje “knock-out”-i ku kalon ose jo, zikaltrit nuk kanë zgjedhje.
Ashtu si Antonio Conte, që rikthehet para kamerave pas shfryrjes së të shtunës së kaluar, kundër drejtuesve të Interit. Trajneri nuk preferoi të përqëndrohej te polemikat, pasi një telefonatë me Zhang ka shërbyer për t’u sqaruar. Tani mendja te rikthimi në fushë, ku luhen të gjitha shanset në Europë.
“Ndiejmë presionin e duhur, – deklaroi trajneri, duke shtuar, – të njëjtin që kishim për të përfunduar në mënyrën më të mirë kampionatin, pavarësisht se e fitoi dikush tjetër. Tri ndeshjet e fundit, me Genoan, Napolin dhe Atalantën, kanë demonstruar se kjo skuadër po përmirësohet shumë, ndaj dhe jam shumë i kënaqur. Uroj që ndaj Getafes të bëjmë një tjetër hap përpara, përtej rezultatit, për të vazhduar progresin”.
Për Antonio Conten Europa është një sfidë më vete, ku ende nuk ka fituar. Interi, ndërkohë, nuk ngre një trofe që nga viti 2011, kur fitonte Kupën e Italisë, ndaj natyrshëm që avancimi deri në fund të rrugës në Europa League do të ishte diçka shumë e rëndësishme për zikaltrit dhe ndoshta mund të ndryshonte edhe fatin e trajnerit.
“Fitorja të ndihmon të fitosh, fitoret sjellin vetëvlerësim, por të fitosh nuk është kurrë e lehtë. Fitorja ndihmon procesin e rritjes në të gjitha nivelet, – deklaroi Conte që në fund i bën një portret skuadrës kundërshtare, teksa shprehet: – “Getafen e kemi studiuar, kemi parë që edhe kundër skuadrave të mëdha të La Ligas i ka bërë kundërshtarët të vuajnë për të marrë rezultat të ngushtë. Kanë dy sulmues të fortë, të strukturuar që e ndihmojnë skuadrën. E dimë që do të jetë e vështirë”.