Ndeshjet e qershorit, kjo është dilema e madhe e trajnerit të Kombëtares së Kosovës.

17:27 | 03 June 2019

Kombëtarja e Kosovës po bëhet gati për ndeshjet që do të mbahen në qershor në kuadër të kualifikimeve Euro 2020.

Kombëtarja e Malit të Zi dhe ajo e Bullgarisë do të jenë nikoqiret e Kosovës më 7 dhe 10 qershor, destinacione të cilat Kosova udhëton për tri pikët.

Në këto dy ndeshje shumë të rëndësishme, kombëtarja Dardane do të paraqitet pa disa prej lojtarëve më të rëndësishëm, që kryesisht vijnë nga reparti i mesfushës.

Valon Berisha, Hekuran Kryeziu e Herolind Shala do të jenë tri mungesat e mëdha të Kosovës, shkruan lajmi.

Të tre emrat e lojtarëve figurojnë në listën e atyre që bartin shiritin e kapitenit, dhe shto këtu emrin e Samir Ujkanit që pritet të jetë në bankën rezervë, dilema e madhe e selektorit Bernard Challandes do të jetë emri se ku do të bartet ky shirit.

Duke pasur parasysh se në përbërje të Kosovës do të jenë Milot Rashica e Amir Rrahmani, emra të cilët janë me Kosovën tash e ca kohë dhe kanë dhënë kontribut të madh, njëri nga të dy shihet si potencial për të bartur këtë përgjegjësi të madhe.

Por, edhe rikthimi i Anel Rashkaj në kampin dardan pas shumë kohësh lë të hapur mundësinë që ai ta ketë atë nder, pasi që dikur e barte atë shirit, kur Kosova ishte në hapat e saj të parë drejt ndërkombëtarizimit, në krye me Albert Bunjakun.

Gjithsesi, edhe Rashkaj pritet që të jetë në bankën rezervë, gjë që lë gjithçka në pikëpyetje. Vendimi i fundit do t’i takojë Bernard Challandes. Por, cili do të ishte i duhuri për shiritin e kapitenit sipas jush?

Komento: