Mund t’iu duket e pabesueshme por është e vërtetë.
Disa kandidatë për leje të vozitjes kanë nevojë që të hyjnë 21 herë në testin e vozitjes për ta kaluar atë. Kështu tregojnë të dhënat e reja të një agjencie britanike.
Agjencia për Standarde të Veturave dhe Vozitjes i publikoi disa të dhëna për kandidatët me më së shumti dështime në testin e vozitjes nga viti 2009 deri në vitin 2018. Informatat u publikuan pas kërkesës së organizatës “Liria e të Dhënave”.
Në vitin 2016, një kandidat e kishte kaluar me sukses testin vetëm pas 21 tentimeve, ndërsa një kandidat tjetër në vitin 2018 ishte rrëzuar nga testi i vozitjes 19 herë.
Sipas rregullave, një kandidat duhet të presë dhjetë ditë para se t’i nënshtrohet përsëri këtij testi, pas dështimit në herën paraprake.
“Kandidatët duhet të hyjnë në test vetëm atëherë kur të kenë fituar përvojë të gjerë dhe kur të jenë të gatshëm të vozisin në mënyrë të sigurt dhe të pavarur”, thuhet në njoftimin e kësaj agjencie.
Sipas këtyre të dhënave, shkalla e kalueshmërisë së testit të vozitjes në vitin 2018 ishte 45.8 për qind, më e ulëta që nga viti 2008, kur ishte 45.3 për qind.
Rreth 19 mijë kandidatë e kaluan testin e vozitjes vitin e kaluar në Britani të Madhe pa bërë asnjë gabim, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.