Cristiano Ronaldo po e kalon një verë të turbullt, derisa po e kërkon një klub të ri pasi ka vendosur përfundimisht të largohet nga Manchester United.
Ylli portugez dëshiron të luajë në Ligën e Kampionëve dhe një mundësi të tillë s’ia jep klubi aktual, i cili s’arriti të kualifikohej në këtë garë.
Në dy muajt e fundit u tha se disa klube e hodhën poshtë mundësinë e transferimit të 37 vjeçarit, edhe pse ai iu vetëofrua atyre përmes menaxherit të tij, Jorge Mendes.
Por, tash ka ardhur koha që edhe pesë herë fituesi i Topit të Artë ta refuzojë një klub.
Bëhet fjalë për Napolin, i cili ditëve të fundit shprehu interesim për shërbimet e tij.
Por, mediumi italian “Corriere dello Sport” raporton se ish-futbollisti i Sporting Lisbonës, Real Madridit dhe Juventusit nuk dëshiron të transferohet në klubin italian, duke e pasur parasysh se klubi “Azzurro” ka pak mundësi të bëjë rrugë të gjatë në Evropë përpos kalimit eventual të fazës së grupeve, që do të ishte maksimumi për këtë klub.
Në mendjen e Ronaldos duket se qëndron Chelsea, një tjetër klub i interesuar për shërbimet e tij.
Për momentin, trajneri Thomas Tuchel po bën rezistencë karshi kryesisë së klubit pasi nuk e sheh ekipin e tij duke luajtur për “CR7”, shkruan Express.
Megjithatë, “Blues” janë në kërkim të një sulmuesi dhe në fund, veterani i sulmit mund të përfundojë pikërisht në “Stamford Bridge”.
Ronaldo i ka edhe dy ditë kohë për të vendosur për të ardhmen e tij, derisa largimi nga “Teatri i Ëndrrave” duket të jetë i pashmangshëm.