S’kishte ujë të nxehtë në stadium, lojtarët e Juves dhe të Interit mbetën pa bërë dush pas lojës.
Lojtarët e Juventusit dhe të Interit kanë mbetur pa ujë të nxehtë në dusha në stadiumin “Allianz Stadium” të dielën.
Lajmin e ka bërë të ditur mediumi italian “La Gazzetta dello Sport”, sipas të së cilës, “Nerazzurri” u desh të ktheheshin në Milano për t’u pastruar në shtëpitë e tyre, përcjell “Gazeta Express”.
Një problem në sistemin e ngrohjes ua pamundësoi lojtarëve të Juventusit dhe të Interit që të pastroheshin pas përballjes së tyre në Serie A, e cila përfundoi baras, 1:1.
Zikaltrit arritën në Torino të dielën në mëngjes, ndërsa u rikthyen në shtëpitë e tyre pas lojës, por lojtarët u desh ta prisnin këtë moment për ta pasur një dush të nxehtë.
Dusan Vlahovic shënoi për “Zonjën e Vjetër”, ndërsa Lautaro Martinez i nivelizoi shifrat në derbin e Italisë.
Interi mbetet lider i Serie A me dy pikë më shumë se skuadra e Massimiliano Allegrit.