Vjehrri vret dhëndrin shqiptar në Belgjikë.
Një shqiptar u gjet i vrarë mbrëmjen e së dielës në Diksmuide të Belgjikës.
I riu 28-vjeçar i identifikuar si I.S, u gjet i ekzekutuar me gjashtë plumba në mes të rrugës, pranë motorit të tij të parkuar.
Të hënën autoritetet policore arrestuan një të dyshuar, që siç shkruajnë mediat belge, është vjehrri i të riut shqiptar, S.V, 54-vjeçari mësohet se e ka mohuar krimin.
Dyshja duket se nuk kishin një marrëdhënie të mirë për shkak të “reputacionit” të dhëndrit të tij dhe personat me të cilët shoqërohej.
Mediat belge shkruajnë se shqiptari nuk ishte i martuar ligjërisht, por në një marrëdhënie me vajzën e tij. Çifti kishte dy fëmijë, një nga një lidhje e mëparshme e gruas, si dhe një vajzë 5-vjeçare, fryt i marrëdhënies së tyre.
Mbrëmjen e së dielës, autori i dyshuar rezulton se kishte pasur një debat me dhëndrin e tij pikërisht në vendin ku u gjet i vrarë. Por 54-vjeçari para hetuesve pretendoi se I.S ishte gjallë kur u largua.
Përveç mosmarrëveshjeve mes dyshes, shkaqet e ngjarjes së rëndë për momentin mbeten të paqarta. Sa i përket origjinës së shqiptarit ajo nuk specifikohet në mediat belge, por mësohet se 28-vjeçari jetonte prej kohësh në Koekelare./tvklan