Futbollistëve të Chelseat nuk do t’iu ulen pagat.
Futbollistët e ekipit të parë të Chelseat nuk do të përballen me ulje të pagave gjatë pandemisë, por do të fokusohen në përkrahje të mëtejme të iniciativave të bamirësisë.
Ishte raportuar se pagat e lojtarëve të Chelseat do të ulen për 10 për qind. Por një komunikatë e klubit londinez ka bërë të ditur se biseda të shumta janë zhvilluar për të shqyrtuar se si mund të kontribuohet nga lojtarët.
Bordi i Chelseat u ka thënë lojtarëve të vazhdojnë të kontribuojnë për bamirësi, ndër të tjera edhe për Shërbimin Nacional Shëndetësor.
“Në këtë kohë skuadra e parë nuk do të kontribuojë për klubin në aspektin financiar. Në vend të kësaj bordi i ka këshilluar lojtarët që të fokusohen në angazhimet e tyre”, thuhet në deklaratë të Chelseat.
“Ne jemi falënderues ndaj ekipit që ka asistuar klubin me aktivitete për komunitetin dhe po ashtu me kauza bamirësie. Ata kanë përkrahur në vendet e tyre e po ashtu nëpërmjet iniciativës së lojtarëve për ndihmë ndaj Shërbimit Nacional Shëndetësor”.
Nuk ka pasur mosmarrëveshje në mes të lojtarëve dhe klubit, ndërsa bisedimet do të vazhdojnë.
Chelsea po ashtu ka njoftuar se nuk do të shfrytëzojë skemat e qeverisë dhe do të vazhdojë të paguajë të gjithë punëtorët.
Arsenali ditë më parë ka arritur marrëveshje me trajnerin Mikel Arteta dhe shumicën e futbollistëve për ulje të pagave për 12,5 për qind.