Ndryshimi i vendimit për konvertimin e targave ilegale serbe në ato RKS, do të ndikojë pozitivisht në forcimin e aleancës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kështu të paktën thonë njohësit e politikës së jashtme, duke konsideruar se krijimi i tensioneve në veri të Kosovës do t’i konvenonte vetëm Serbisë, e aspak palës kosovare.
“Ky vendim e faktorizon Kosovën realisht karshi partnerëve ndërkombëtarë, sepse në këtë rast nuk kemi të bëjmë asgjë me Serbinë, në të gjithë këtë dialog e kemi me bashkësinë ndërkombëtare, sepse ata kanë indikacione që në Veri të Kosovës mund të krijohet një kaos dhe po ashtu edhe tension. E krijimi i këtij tensioni i konvenon vetëm palës serbe. Vendim do t’i përmirësojë edhe më shumë raportet ndërkombëtare”, thotë profesori i Shkencave Politike, Dritëro Arifi.
Ngjashëm mendon edhe njohësi i proceseve politike në Kosovë, Agon Maliqi, cili shton se futja e veriut nën administrim të KFOR-it, do të ishte një regres i madh për Kosovën për integrimin e kësaj pjese.
“Gjithsesi do të ishte e dëmshme nëse shkohet deri në maksimum sepse rrezikojmë që situatë e sigurisë në veri të marrë përsipër KFOR-i, dhe kjo për Kosovën do të përbënte regres në kuptimin e integrimit të veriut”, deklaron Maliqi.
Ndërkohë, situatën e krijuar në Kosovë, ligjëruesja në Universitetin e Nju Jorkut, Anna Di Lellio, e sheh si një faktor negativ për të ecur tutje në dialog me Serbinë.
“Nuk ka shumë për të thënë në këtë pikë; me luftën në Ukrainë nuk do të ndryshojnë shumë gjërat për Kosovën. Më vjen keq ta them këtë, por kjo është e vërteta”, thotë ajo.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës, që edhe për 6 muaj të tjerë të ketë qortim, gjoba e targa provuese erdhi pas kërkesave të shumta të zyrtarëve ndërkombëtarë, me theks të veçantë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. /RTVDukagjini/