Ballkani e mposht Prishtinën me përmbysje të çmendur në çastet e fundit.
Ballkani e ka mundur Prishtinën me përmbysje mahnitëse, vetëm tri ditë pasi e përjetoi një humbje dëshpëruese në mënyrë të njëjtë nga Trepça ’89, duke triumfuar 2:1 edhe pse po humbiste me një gol epërsi deri në çastet e fundit të ndeshjes.
Heroi i Ballkanit ishte Mevaln Zeka i cili i shënoi dy golat e triumfit duke u futur në lojë nga stoli në pjesën e dytë, pasi Prishtina kishte krijuar epërsi të hershme përmes Otto John, raporton Gazeta Express.
Tamam kur u duk se skuadra e Ismet Munishit po shkonte drejt humbjes së dytë radhazi dhe në përgjithësi këtë sezon në Superligë, ajo tregoi fytyrë lideri dhe e përmbysi rezultatin në gjashtë minutat e fundit.
Në një ndeshje të tensionuar nga fillimi në Suharekë, bardhekaltrit e gjetën epërsinë herët falë Johnit, i cili shënoi në minutën e 34-të.
Ballkani i Munishit vuajti shumë për të ardhur te goli, pavarësisht përpjekjeve të mëdha.
Por zëvendësimi që Munishi e bëri në pjesën e dytë, kur e futi në lojë Zekën, doli të ishte i përkryer.
Ish-ylli i Feronikelit u shndërrua në hero për Suharekën. Ai e barazoi rezultatin në minutën e 88-të duke shënuar me kokë, para se ta bënte rikthimin më të madh të Ballkanit në historinë e saj, kur u gjend më së miri në një tollovi në mbrojtjen e Prishtinës dhe e futi topin në rrjetë në minutën e 96-të.
Falë këtyre tri pikëve, Ballkani tani ruan kreun me 22 pikë, gjashtë më shumë se Drita, e cila i ka dy ndeshje më pak të zhvilluara, megjithatë.
Prishtina, ndërkohë, ngel në pozitë ne katërt me vetëm 11 pikë, pas dy humbjeve radhazi.
Ndërkohë, në dy ndeshjet e fundit të xhiros së nëntë, Gjilani e ka mundur 1:0 Besën dhe Drenica ka triumfuar 2:1 kundër Trepçës ’89.