Në Deçan qytetarët po përballen me mungesë të madhe të ujit të pijshëm

22:30 | 25 Gusht 2024
ne-decan-qytetaret-po-perballen-me-mungese-te-madhe-te-ujit-te-pijshem

Në Deçan qytetarët po përballen me mungesë të madhe të ujit të pijshëm, me reduktime deri në tetë orë. Ata thonë se shpesh janë të detyruar që të bartin ujë nga burime të tjera për nevoja të përditshme.

Thatësia e madhe dhe mungesa e ujit kanë bërë që banorët e shumë fshatrave të komunës së Deçanit tash e dy muaj të përballen me reduktime të gjata të ujit.

Ata thonë se shpesh janë të detyruar që të bartin ujë nga burime të tjera për nevoja të përditshme në familje por edhe për bagëti.

Reduktimet e gjata deri në 8 orë në ditë nuk po i mirëpresin sidomos bashkatdhetarët nga diaspora, të cilët këto ditë po qëndrojnë për pushime.

Në anën tjetër, zyrtarët e Ndërmarrjes së Ujësjellësit në Deçan, që është degë e Hidrodrinit në Pejë, thonë se krahas pakësimit të burimeve të ujit nga thatësia e gjatë, edhe keqpërdorimet e qytetarëve janë të mëdha.

“Ndoshta edhe kanë të drejtë të ankohen në padrejtësi por në disa fshatra qytetrët po e marrin në dorë rregullimin e ujit. Kur të bien presioni  ata mendojnë që ua ka ndalur një fshat tjetër dhe shkojnë hyjnë nëpër fshatra që është edhe vepër penale dhe i sjellin ato ventilat dhe krejt na i ç’akordojnë ventilat duke menduar që fshati tjerë a në fakt as ata nuk kanë ujë. Kështu që këtë problem e kemi prej thatësie por thjesht shumicën e kemi prej keqpërdorimeve”, ka thënë Nasim Haradinaj, menaxher i Ndërmarrjes  Ujësjellësit në Deçan.

Sidoqoftë, për shkak të thatësirës së madhe, keqpërdorimeve dhe për pasojë reduktimeve të gjata të ujit, shumë konsumatorë po hapin puse të reja nëpër oborret e tyre.

Komento: