
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duke shkruar në ditën e Evropës, ka thënë se, Bashkimi Evropian është lindur mbi rrënojat e luftës së dytë botërore, dhe se, çelësi i paqes që gëzon Evropa është krijimi i institucioneve të përbashkëta që i shndërruan rivalët në partnerë.
Kurti, më tej shtoi se, anëtarësimi në Bashkimin Evropian i vendeve të Ballkanit Perëndimor që duan të anëtarësohen nuk është thjesht çështje prosperiteti dhe mirëqenieje, porse, është domosdoshmëri për të siguruar paqen e qëndrueshme në Evropë.
‘’ Kosova sot është demokracia më e zhvilluar dhe ekonomia me rritjen mesatare më të lartë në rajon. Aplikimi për anëtarësim dhe liberalizimi i vizave ishin hapat historikë të mandatit që shkoi. Mandati që vjen do të jetë për statusin e kandidatit, hapjen e negociatave, dhe avancimin që Kosova e ka merituar prej kohësh’’, ka shkruar Kurti mes tjerash.
Postimi:
“Evropa nuk do të bëhet menjëherë apo sipas një plani të vetëm. Ajo do të ndërtohet përmes arritjeve konkrete, të cilat së pari krijojnë një solidaritet de fakto.”
Me këto fjalë, Robert Schuman e nisi projektin më të madh paqësor që ka njohur kontinenti ynë.
Bashkimi Evropian lindi mbi rrënojat e Luftës së Dytë Botërore. Brenda tri dekadave, Evropa kishte përjetuar dy luftëra shkatërruese, dhe nevoja për një paqe të qëndrueshme ishte bërë ekzistenciale.
Por paqja nuk u ndërtua mbi harresë. Ajo u ngrit mbi drejtësinë e gjyqit të Nurembergut dhe mbi përgjegjësinë ndaj viktimave të luftës. Pra, mbi një paqe të drejtë.
Drejtësia dhe përgjegjësia u pasuan nga vizioni i bashkëpunimit. Çelësi i paqes që gëzon Evropa prej afër tetë dekadash ishte te krijimi i institucioneve të përbashkëta që i shndërruan rivalët historikë në partnerë. Kështu lindi Komuniteti Evropian i Qymyrit dhe Çelikut, dhe që nga viti 1951 deri sot, Evropa është ndërtuar hap pas hapi, pikërisht ashtu siç e kishte parashikuar Schuman.
Ndërkohë, Kosova e jetoi shekullin e njëzetë ndryshe. Përveç dy luftërave botërore dhe luftërave të tmerrshme ballkanike, ne përjetuam edhe gjenocidin serb në fillim dhe në fund të tij. Për ne, projekti evropian mbeti një premtim i pambaruar paqeje deri në fund të shekullit.
Pikërisht për këtë arsye, anëtarësimi në Bashkimin Evropian i vendeve të Ballkanit Perëndimor që duan të anëtarësohen nuk është thjesht çështje prosperiteti dhe mirëqenieje. Është domosdoshmëri për të siguruar paqen e qëndrueshme në Evropë.
Kosova sot është demokracia më e zhvilluar dhe ekonomia me rritjen mesatare më të lartë në rajon.
Aplikimi për anëtarësim dhe liberalizimi i vizave ishin hapat historikë të mandatit që shkoi.
Mandati që vjen do të jetë për statusin e kandidatit, hapjen e negociatave, dhe avancimin që Kosova e ka merituar prej kohësh.
Gëzuar Ditën e Evropës!