Në ditën që Haradinaj e liroi nga detyra, Familja e Sylejman Selimit fitoi tender milionësh

17:30 | 05 June 2019

Para pak ditëve kryeministri, Ramush Haradinaj liroi nga detyra e këshilltarit ish-komandantin, Sylejman Selimin.

Ministria e Infrastrukturës që udhëhiqet nga Pal Lekaj i AAK-së, ka bërë vlerësimin e ofertave të kompanive që garuan për zgjerimin e rrugës Dollc-Gjakovë. Ne mesin e kompanive që është rekomanduar për kontratë ndodhet edhe kompania e familjes së Sylejman Selimit, këshilltarit të Ramush Haradinajt.

Kryeministri Ramush Haradinaj, ka liruar nga detyra e këshilltarit politik Sylejman Selimin. Këtë e ka bërë të ditur vetë Haradinaj përmes një postimi në Facebook.

“Kam liruar nga detyra e këshilltarit politik Sylejman Selimin, me kërkesën e tij. Zotin Selimi e falënderova për kontributin e deritashëm në Zyrën time politike”, ka shkruar Haradinaj.

Por, në ditën që u lirua Selimi nga detyra e këshilltarit (3 qershor), firma “Mirusha Company” që është në pronësi të familjes se Selimit u shpallë fituese e në një tenderi milionësh në ministrinë që udhëhiqet nga AAK-ja.

Të shtunën, Ministria e Infrastrukturës ka bërë hapjen e ofertave për tenderin “Zgjerimi i rrugës nacionale N 9.1, segmenti Dollc-Gjakovë , L=31.00 ”. Po atë ditë, kompanitë janë njoftuar lidhur më vendimin e Komisionit të ministrisë për këtë tender, i cili ka qenë i ndarë në tri lote.

Sipas dokumenteve që i ka parë lajmi., për lot 1 është shpallur fitues kompania “Kag Asfalt” nga Prizreni me çmim 8,590, 949.83 euro.

Për lot 2 janë shpallur fitues kompanitë në konsorcium “Mirusha & Geci & Rahovica” me çmim prej 6,99, 494.05 euro, me lider kompaninë “Mirusha Company”.

Për lot 3 është shpallur fitues “Lika Trade” nga Deçani me çmim 5, 434, 111.44 euro.

Sipas Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës –ARBK, “Mirusha Company”, figuron në pronësi të tre vëllezërve të Sylejman Selimit, në emrin e Selman, Fidan dhe Mentor Selimi. Të gjithë vëllezërit e ish-komandantit të UÇK-së kanë shtëpitë dhe banesat e veta, ndërsa shtëpinë e përbashkët, bashkë me Sylejman Selimin e kanë në Açarevë të Skenderajt.

Ndërkohë, ky tender është në fazën ku Ministria po i njofton kompanitë tjera me arsyeje e eliminimit nga gara, për t’u hapë rrugë pastaj edhe mundësisë së ankimit të tyre nëse ndonjëra mendon që i është shkalur ligji gjatë vlerësimit te tenderit.

Komento: