
Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka bërë thirrje për pjesëmarrje në marshin që pritet të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka shkruar se marshimi vjen në një fazë finale të procesit në Hagë, duke thënë se pjesëmarrja pritet të jetë edhe më e madhe se në marshin e kaluar.
“Marshi i kaluar në Prishtinë dëshmoi fuqinë e përbashkimit, kur rreth 100 mijë qytetarë u bashkuan në thirrjen për drejtësi. Të martën, më 17 shkurt, në një moment vendimtar për vendin dhe në fazën finale të procesit në Hagë, do të dalim edhe më shumë”, shkroi ai.
Krasniqi njëherësh ka theksuar se, kjo çështje nuk lidhet me individë apo parti politike, por me dinjitetin kombëtar dhe të drejtën për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm.
“Sepse, kjo nuk është çështje e një individi, e një partie apo e një grupi të caktuar, por çështje e dinjitetit kombëtar e shtetëror, e së vërtetës historike dhe e të drejtës së patjetërsueshme për një gjykim të drejtë e të paanshëm. Thirrja jonë mbetet e qartë dhe e pandryshuar: Drejtësi, jo politikë! Liri për çlirimtarët!”, tha Krasniqi.