Në javën e verdiktit të madh, jepen edhe deklaratat përmbyllëse në gjyqin e dytë ndaj Thaçit

15:37 | 06 Gusht 2026

Pikërisht në javën kur jepet verdikti ndaj katërshës drejtuese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, konfirmuan se do të jepen edhe deklaratat përmbyllëse në procesin e dytë kundër ish-presidentit, Hashim Thaçi.

Bëhet fjalë për gjykimin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, në të cilin të akuzuar janë edhe Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi.

Sipas njoftimit nga specialja, deklaratat do të jepen në datat 10, 11 dhe 14 shtator 2026, derisa verdikit për rastin e madh jepet më 16 shtator u caktua si datë për deklaratat përmbyllëse.

Gjykatësi i vetëm, Christopher Cosnell ka lëshuar urdhër me të cilin e deklaroi të mbyllur fazën e provave, derisa 24 gushti 2026 është caktuar si afat për dosjet gjyqësore përfundimtare, në qoftë se do të ketë, kurse 4 shtatori 2026 për dosjet e kundërpërgjigjeve, në qoftë se do të ketë.

Në seancën fillestare më 27 shkurt 2026, Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Klilaj dhe Hajredin Kuçi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë.

Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe më 2024 i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

Lidhur me këtë rasti, Smakaj, Fazliu dhe Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

Kurse, Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.

Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aty thuhet se anëtarët e këtyre grupeve u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Komento: