Në këtë orë kryeministri Kurti e pret në qeveri Kancelarin Scholz

09:40 | 10 Qershor 2022

Kancelari gjerman Olaf Scholz do të pritet sot nga kryeministri Albin Kurti në ora 10:45 në ndërtesën e qeverisë njofton zyra e Kryeministrit.

Pas takimit, dy liderët do të kenë një konferencë të përbashkët për media.

Scholz në agjendën e tij e ka të paraparë t’i vizitojë edhe trupat gjermane në kuadër të KFOR-it.

Shefi i qeverisë gjermane do ta nisë me Kosovën vizitën e tij të parë në Ballkan ku do të qëndrojë dy ditë.

Pas qëndrimit në Prishtinë, Scholz do të udhëtojë për në Beograd.

Policia e Kosovës njofton se me rastin e vizitës së kancelarit të Gjermanisë Olaf Scholz, sot do të ketë ndërprerje të përkohshme në intervale të shkurta kohore të qarkullimit të trafikut në disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta.

Në njoftim thuhet se policia do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror gjerman në Kosovë.

“Njëkohësisht për të mundësuar qarkullimin dhe riorientimin e trafikut në rrugë alternative në lokacionet ku pritet të kalojë eskorta do të angazhohen zyrtarë policorë të njësiteve relevante, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, njofton Policia e Kosovës.

Komento: