
Në dy vende të Kosovës nuk ndalet qarkullimi i automjeteve.
Nga e shtuna me vendim të Qeverisë së Kosovës janë ndaluar vizitat në secilën pikë malore të Kosovës, përfshirë edhe Grykën e Rugovës.
Kjo masë për luftimin e koronavirusit, sipas Komunës së Pejës, nuk vlen edhe për banorët autoktonë të Rugovës, raporton koha.
Mirëpo, ky vendim ditën e hënë nuk është parë që po zbatohej nga asnjë institucion, pasi rrugës së Grykës së Rugovës automjetet qarkullonin lirshëm.
“Atë pjesë e patrullon policia dhe e kontrollon policia, sepse Komuna nuk ka mekanizma që ta bëjë kontrollin e lëvizjes së qytetarëve. Përpos, si tash edhe më herët Inspektorati i kontrollon ose monitoron bizneset mos ndonjëri prej tyre fillon të punojë jashtë vendimeve të marra nga Qeveria”, ka thënë Fatmir Asllani, nënkryetar i Komunës së Pejës.
E në Grykë të Rugovës nuk shihej asnjë pikë kontrolluese e policisë, përveç një pike statike të policisë para hyrjes së Patrikanës, e cila është përgjegjëse vetëm për sigurinë e objektit fetar.
Në Policinë e Kosovës në Pejë thonë se për zbatimin e vendimit të Qeverisë kanë lëshuar një urdhëresë operative.
“Ka qenë një numër bukur i madh i patrullave të angazhuara. Dhe është zbatuar strikt kjo urdhëresë e Qeverisë. Kurse për sot që e cekni, e kemi pasur kohën pak edhe më të ftohtë dhe kemi patrulluar kohë pas kohe, me verifikua se nuk ka pasur fluks të qytetarëve me qëllim të grumbullimit të tyre, përveç banorëve rezidentë që kanë lëvizur në zonën e Rugovës”, ka thënë major Ndue Nikolla, komandant i Stacionit Policor të Pejës.
Sipas Nikollës, do të vendosen edhe pikat statike të kontrollit dhe se do të ketë tolerancë zero.
Sidoqoftë, fluksi i madh i veturave në qytetin e Pejës lë përshtypjen se jeta po zhvillohet normalisht si më parë, pa asnjë rrezik nga koronavirusi.