Në Kosovë po realizohen operacione të ndërlikuara, me ndihmën e mjekëve të huaj

08:51 | 20 March 2019

Me ndihmën e mjekëve të huaj, në Kosovë po realizohen operacione të ndërlikuara.

Më gjithë mungesat e shumta, nisur nga stafi, barnat dhe materialit shpenzues, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë kryer operacione të rralla, që kualifikohen ndër më të vështirat.

Në këtë institucion thonë se në rastet kur vlerësohet se ka komplikime dhe probleme rreth ndërhyrjeve kirurgjike, mjekët ndihmohen edhe nga ekipet e huaja.

Marrëveshjet me qendrat klinike botërore për të sjell ekspertë shëndetësorë të huaj në Kosovë, ka bërë që nga përvojat që shkëmbehen të përfitojnë si pacientët, po ashtu edhe mjekët.

Gjatë kësaj jave, në Klinikën Kardiokirurgjike mjekët italianë kanë operuar disa pacientë me probleme kardiokirurgjike dhe gjatë gjithë kohës kanë asistuar edhe mjekët kardiokirurgë nga Kosova.

Ndërkaq, aktualisht janë duke u kryer edhe operacione të ndërlikuara të zemrës te fëmijët. Këto ndërhyrje kirurgjike do të zgjasin deri në fund të javës nga të cilat do të përfitojnë rreth gjashtë fëmijë që kanë nevojë për këso operacionesh.

Drilon Asllani, zyrtar për informim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), i tha Radios Evropa e Lirë se stafi mjekësor nga Kosova, ndjek në vazhdimësi trajnime jashtë vendit, dhe përvojat e tyre i sjellin dhe i aplikojnë në sistemin shëndetësor në Kosovë.

Përveç kësaj, shpeshherë edhe mjekë eminentë nga vende të ndryshme, marrin pjesë në operacione të ndërlikuara, duke e ndihmuar stafin vendor, në mënyrë që pacientët të mos shpenzojnë shuma të mëdha parash për t’i marrë këto shërbime jashtë institucioneve publike shëndetësore.

“Tash kryhen operacione të rënda në Kardiokirurgji si: bypass dhe ndërhyrje në zemër, në Neurokirurgji dhe në Ortopedi, përfshirë proteza edhe ndërhyrje tjera specifike ortopedike. Gjithashtu, në QKUK kryhen edhe raste tjera, për të cilat janë shpenzuar para të majme nga buxheti për trajtim jashtë vendit”.

“Përqendrimi i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, do jetë në zhvillimin e ortopedisë dhe oftalmologjisë, për t’i kryer gjitha operacionet në QKUK. Stafi mjekësor i QKUK-së, pra mjekët kanë pasur rastin të ndjekin trajnimin dhe edukimin jashtë vendit, të cilat po i aplikojnë edhe në QKUK, sidomos në degët kirurgjike”, tha Asllani.

Në anën tjetër, Faik Hoti, drejtor i departamentit për media në Ministrinë e Shëndetësisë bëri të ditur se përfitimet nga këto ndërhyrje janë të shumëfishta, përfshirë edhe aspektin financiar, përveç aspektit të marrjes së eksperiencës së stafit nga Kosova.

Janë kryesisht mjekë kirurgë nga Italia, Turqia, Australia, por edhe vende të tjera që vijnë vazhdimisht në Kosovë për të kryer operacione me metoda që nuk kryhen në Kosovë.

“Në kuadër të marrëveshjeve të bashkëpunimit me shtete të ndryshme, por edhe bashkëpunimit bilateral, Ministria e Shëndetësisë përkatësisht Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës vizitohen nga ekipe të ndryshme të profesionistëve shëndetësorë të këtyre vendeve që bëjnë bashkëpunime në fusha të ndryshme. Kryesisht bëjnë këmbim të eksperiencave, ndërhyrje të ndryshme operative, donacione të ndryshme dhe zhvillojnë trajnime të përbashkëta me profesionistët shëndetësorë të Kosovës në fushën e edukimit të vazhdueshëm mjekësor”, tha Hoti.

Edhe kardiokirurgu në Klinikën e Kardiokirurgjisë, Arbër Kutllovci, e vlerësoi lartë bashkëpunimin me mjekët italianë. Kutllovci tha se me ndihmën e mjekëve të huaj në QKUK po kryhen operacione komplekse.

“Për ne, kardiokirurgët që punojmë këtu, është një punë jashtëzakonisht profitabile, për shkak se mendojmë t’i vëmë bazat e Kardiokirurgjisë Pediatrike”, theksoi Kutllovci.

Ndryshe, Kosova nuk ka shërbim të kardiokirurgjisë për fëmijë, dhe të njëjtit me probleme në zemër, këto shërbime vazhdimisht i marrin jashtë Kosovës.

Komento: