Hezitimi i partive, asnjë koalicion parazgjedhor nuk është konfirmuar në KQZ.
Derisa kanë mbetur pak më shumë se 48 orë deri në përmbyllje të afatit kur koalicionet parazgjedhore mund të deklarohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, një gjë të tillë nuk e ka bërë ende asnjë parti.
Njohësi i çështjeve politike në Kosovë, Blerim Burjani, tha për Radio Kosovën se nuk sheh ndonjë koalicion të madh parazgjedhor as në mes të LDK-së e VV-së e as ndonjë partie tjetër. Ai shtoi se koalicionet e vetme që mund të bëhen gjatë kësaj periudhe janë ato të partive të vogla.
Dy ditë para përmbylljes së afatit për deklarim të koalicioneve parazgjedhore në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, një gjë të tillë nuk e ka bërë ende asnjë parti.
Madje, koalicionet parazgjedhore nga partitë më të mëdha në vend nuk i sheh as njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani.
Sipas tij, koalicionet e përfolura deri më tani në mes të LDK-së e VV-së nuk pritet të ndodhin, por as PDK e AAK nuk shihet se mund të bëjnë ndonjë lëvizje të madhe.
“Jemi në një marketing politik sidomos që e bënë VV dhe kalimin e njerëzve nga PDK në këtë subjekt politik vazhdimisht. Është interesant se partia tjetër e madhe PDK është shumë e heshtur. Dhe është shumë interesant se gjithmonë kanë qenë të zëshëm në parafushata dhe në anën tjetër LDK e cila vazhdimisht po tenton të bëjë koalicion me VV dhe për mendimin tim ky koalicion nuk do të ndodh fare”, ka thënë Burjani.
Burjani tha se qytetarët e Kosovës nuk kanë fare interesim për këto zgjedhje, derisa shtoi se numri më i madh i votuesve do të jetë rreth 400 mijë.
Sipas tij, kandidatët e shpallur për kryeministër deri më tani janë të profileve të ndryshme por jo edhe të ekonomisë, gjë që aktualisht i duhet Kosovës për ta ndalur ikjen e të rinjve nga vendi.
Ndërsa, mosdeklarimin e asnjë koalicioni parazgjedhor në KQZ, e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i saj, Valmir Elezi, i cili tha për Radio Kosovën se afati për një gjë të tillë është hapur dje (27 gusht) dhe pritet të përfundojë më 30 gusht në ora 24:00.
“Afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve ka filluar më 27 gusht dhe përfundon me 6 shtator. KQZ e ka vendos afatin e fundit datën 30 gusht deri në orën 24:00 për deklarim të partive politike që kërkojnë certifikim përmes koalicionit. Partitë politike të cilat nuk njoftojnë se do të garojnë në zgjedhje si pjesë e koalicionit, ato nuk mund të aplikojnë për koalicion pas këtij afati”, ka thënë Elezi.
Fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme qendrore pritet të hapet më 25 shtator dhe të zgjasë deri më 4 tetor, ndërsa dita e votimit është 6 tetori.