Në Kuvend Projektligji për Paga, këto janë dallimet në koeficientë

12:13 | 20 December 2022

Projektligji për Paga në Kuvend, këto janë dallimet në koeficientë.

Gjithçka tashmë është gati. I miratuar në lexim të parë, Projektligji për Pagat në Sektorin Publik, me 22 dhjetor do të jetë në Kuvendin e Kosovës për t’u votuar nga ligjvënësit e Republikës.

Deri të hënën në mesditë, ishte afati për dërgimin e ndonjë propozimi në Komisionin përkatës, edhe pse kjo nuk e ndalonte rrjedhën e procedurës.

RTKlive ka siguruar këtë projektligj i cili ndryshe nga sa ka ndodhur në të kaluarën, nuk parasheh fare koeficient të përcaktuar të pagesës, e ku më i larti është 18, të cilin e ka Presidentja e Republikës.

Në nenin 9, pika 1 të këtij Projektligji, flitet për përcaktimin e vlerës së koeficientit. “Vlera monetare e koeficientit përcaktohet me ligjin vjetor të buxhetit”, shkruan në Projektligj.

“Përcaktimi i vlerës së koeficientit bëhet në pajtim me legjislacionin për menaxhimin e financave publike”.

Në memorandumin shpjegues për këtë pikë, jepen edhe sqarimet.

“Për të ruajtur sigurinë dhe stabilitetin financiar dhe për të siguruar se kufizimet buxhetore do të respektohen, është përcaktuar se vlera monetare e koeficientit do të vendoset me ligjin vjetor të buxhetit”, shkruan në shpjegim.

“Kjo vlerë monetare e koeficientit do të përcaktohet në përputhshmëri me legjislacionin për menaxhimin e financave publike”.

Dallimet në paga

Në këtë memorandum, sqarohet se shkallëzimi i drejtë i raportit të koeficienteve është bërë duke zbatuar parimin që paga më e lartë të jetë jo më shumë se pesë (5) herë më e lartë se paga më e ultë dhe jo më shumë se tre (3) herë më e lartë se paga mesatare e përllogaritur sipas këtij Projektligji.

Kështu, dallimi në mes të pagës më të lartë në hierarkinë shtetërore, pra Presidentes së Republikës së Kosovës (18) dhe pagës më të ultë të përcaktuar sipas kategorizimit të pozitave të punës që është e nëpunësit teknik dhe mbështetës (3.76), në të gjithë sektorin publik, sipas këtij Projektligji është vetëm 4.78 herë.

“Dallimi më i vogël është midis koeficientit më të lartë të pagës së Presidentes dhe koeficientit të pagës më të ultë tek kategoria profesionale 3 në art dhe kulturë që është 2.76 herë”, shkruan në memorandumin shpjegues.

Në anën tjetër, dallimi në mes të pagës më të lartë dhe asaj më të ultë në Policinë e Kosovës është 3.22 herë, ndërsa dallimi sipas hierarkisë shtetërore midis pagës më të lartë, pra të Presidentes dhe Policit të ri është 4 herë.

“Dallimi në mes të pagës më të lartë dhe asaj më të ultë në Forcën e Sigurisë së Kosovës është vetëm 2.67 herë, ndërsa dallimi sipas hierarkisë shtetërore midis pagës më të lartë, pra të Presidentes dhe Ushtarit është vetëm 3.21 herë”, shkruan në këtë shpjegim.

Sa i përket sistemit arsimor, dallimi në mes të pagës më të lartë dhe asaj më të ultë në arsimin universitar dhe para universitar është 2.89 herë, ndërsa dallimi sipas hierarkisë shtetërore midis pagës më të lartë, pra të Presidentes dhe Bibliotekistit është vetëm 3.67 herë.

Bazuar në këtë shpjegim, dallimi në mes të pagës më të lartë dhe asaj më të ultë në sistemin shëndetësor është 3.11 herë, ndërsa dallimi sipas hierarkisë shtetërore midis pagës më të lartë, pra të Presidentes dhe Ndihmës Infermierit është vetëm 4 herë.

Në këtë pasqyrim, nuk është përfshirë koeficienti i kadetit/rekrutit sepse i njëjti nuk përfiton pagë për kryerje të detyrave dhe përgjegjësive, por kompensohet me qëllim të mbulimit të shpenzimeve ditore gjatë trajnimit të detyrueshëm.

Ndërkohë në pikën 2 të nenit 9 të këtij Projektligji shkruan se “Pavarësisht vlerës monetare të koeficientit, në rast se paga bazë është më e vogël se paga minimale, paga bazë vlerësohet të jetë sa paga minimale”.

Një e veçantë tjetër në këtë projektligj është edhe mos ulja e shumës së koeficientit.

Në nenin 10 të këtij projektligji, ku flitet për “Uljen e nivelit të pagës”, përkatësisht në pikën 1, shkruan se “vlera monetare e koeficientit e përcaktuar sipas këtij ligji, mund të ulet vetëm me ligj për situatat si në vijim: 1.1.një tronditje makroekonomike e cila rezulton në zvogëlimin e të ardhurave; 1.2. një fatkeqësie natyrore sipas kuptimit të nenit 131 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

Komento: