
Kosova po vazhdon të zbatojë masat kundër përhapjes së koronavirusit.
Për rreth 3 muaj gradualisht Ministria e Shëndetësisë ka paraparë largimin e masave izoluese për parandalimin e koronavirusit.
KOHA ka siguruar një dokument të Ministrisë së Shëndetësisë, në të cilin janë të paraqitura masat që do të ndërmerren për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve dhe hapjen e disa bizneseve.
Në javën e parë të majit parashihet t’i hapet rrugë sektorit të ndërtimtarisë, e pjesërisht do të hapet edhe tregtia e automjeteve, e tregtia me pakicë.
Kurse që nga 18 maji qytetarët do të mund të lëvizin për më shumë se 2 orë, kur pritet të hapet edhe transporti hekurudhor.
Në po këtë kohë parashihen të hapen edhe muzetë dhe galeritë, por të gjitha këto duke respektuar rregullat e vendosura, përfshirë distancën sociale e masat mbrojtëse, si dorëza e maska.
Hapja e transportit ndërurban, sipas këtij drafti të vendimit pritet të ndodhë në fillim të qershorit, kur gjithashtu do të mund të zhvillohen edhe provimet në universitete.
Nga gjysma e qershorit do të mund të zhvillohet edhe testi i maturës dhe ai i arritshmërisë.
Derisa gastronomia dhe trafiku urban është paraparë të hapen tek në fillim të korrikut.
Në këtë dokument nuk është vendosur për hapjen e kufijve, aeroportit, shesheve e tubimeve publike, derisa kjo mundësi është lënë që të vendoset bazuar në situatën epidemiologjike.
Ministria e Shëndetësisë ka paralajmëruar më herët se deri më 30 prill do të bëhen publike masat e reja për parandalimin e koronavirusit derisa ato aktuale vlejnë deri më 4 maj.
E pas paralajmërimeve të disa vendeve në botë, për fillimin e lehtësimit të masave, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se heqja e tyre shumë herët mund të çojë në katastrofë të re shëndetësore e shtim të rasteve dhe vdekjeve nga COVID-19.
“Derisa në Evropë janë duke rënë numrat e rasteve të reja, ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje shteteve që të gjejnë, izolojnë dhe të testojnë çdo rast apo kontakt të ri që të sigurohemi se ky numër është duke u zvogëluar me të vërtetë, megjithatë kjo pandemi është larg prej përfundimit”, ka thënë drejtori i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Tashmë në botë numri i të infektuarve ka shkuar në mbi 3 milionë, kurse mbi 200 mijë persona kanë vdekur nga COVID-19.