Në mbledhjen e dy kuvendeve theksohet nevoja për bashkëpunim dhe mbrojtje të interesave të kombit

11:43 | 27 November 2022

Mbledhja e dy kuvendeve, theksohet nevoja për bashkëpunim dhe mbrojtje të interesave të kombit.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca tha se Serbia nuk e fsheh qëllimin e saj për të destabilizuar dhe ndarë shtetin e Kosovës. Duke folur në mbledhjen e dy kuvendeve, të Kosovës dhe atij të Shqipërisë, ai tha se interesat jetike të kombit shqiptarë do të jetë më lehtë për t’i mbrojtur nëse Kosova dhe Shqipëria qëndrojnë afër njëra-tjetrës.

Konjufca tha se bota sot është më e pasigurt për shkak të sulmit të Rusisë në Ukrainë duke shtuar se i vetmi shtet në mes të Evropës që mbetët i lidhur me Rusinë është Serbia.

“Bota sot është më e pasigurt se dje për shkak të sulmit të Rusisë mbi Ukrainë e cila e synon NATO-n dhe Bashkimin Evropian. I vetmi shtet në mes të Evropës që mbetet i lidhur me Rusinë sot është Serbia. Serbia nuk e fsheh aspak qëllimin e saj që është destabilizimi i Kosovës dhe ndarja faktike e shteti tonë. Serbia na lufton nga brenda dhe nga jashtë pa zgjedhur mjete prej diplomacisë e deri të financimi dhe kontrollimi i grupeve që janë të lidhura me krimin brenda vendit tonë. Sa më afër njëra tjetrës Shqipëria me Kosovën aq më lehtë do të jetë për t’i mbrojtur interesat jetike të kombit tonë. Ne do të mund të shënojmë arritje të radhës si komb vetëm nëse e kombinojmë mençurinë e Ukshin Hotit, atdhedashurinë e Adem Demaçit, maturinë e Fehmi Aganit, përgatitjen e Gazmend Zajmit dhe mendhjeprehësinë Arbën Xhaferit”, tha Konjuca.

Kreu i legjislativit theksoi se orientimi i Kosovës është drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s, e në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Dy ngjarje të rëndësishme e kanë hapur kapitullin e mundësive të mëdha për kombin tonë, së pari ishte ardhja e demokracisë në Shqipëri, pastaj nëntë vite pas kësaj ndodhi edhe çlirimi i Kosovës nga pushtuesi serb. Sot Shqipëria është anëtare e NATO-a dhe vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, kurse Kosova e aspiron NATO-n dhe anëtarësimin në familjen e vlerave evropiane. Orientimi ynë gjeostrategjik kombëtar është i pa rezervë drejt Bashkimit Evropian brenda NATO-s dhe në miqësi të thellë dhe të përhershme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por përvoja na ka mësuar neve shqiptarëve që po aq sa kemi nevojë të festojmë, në të njëjtën kohë po aq duhet të reflektojmë për sfidat që i kemi përpara dhe pengesat të cilat duhet t’i kapërcejmë”, tha ai.

Kreu i Kuvendit përmendi luftën dhe sakrificën e shqiptarëve ndër shekuj për të arritur lirinë dhe pavarësinë, duke theksuar se lufta e lavdishme e UÇK-së i ka hapur rrugë shpalljes së pavarësisë njësoj si një shekull më parë Lidhja e Prizrenit që i ka paraprirë pavarësisë së Shqipërisë.

E kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla tha se Kosova dhe Shqipëria sot janë dy shtete të pavarura dhe demokratike me aspiratë integrimi drejt Bashkimit Evropian.

“Sa më e zhvilluar të jetë bashkësia shqiptare në rajon, aq më i qëndrueshëm do të jetë edhe rajoni edhe Evropa. Shqipëria dhe Kosova si dy etnitete politike të shqiptarëve në Ballkan dhe me aspiratë integrimin evropian duhet të bashkëndajnë përgjegjësinë për të materializuar vullnetin e shqiptarëve, për t’i shndërruar kufijtë shtetëror mes dy vendeve por edhe me vendet fqinj në kufij formal. Për këtë një rol vendimtar kanë dy kuvendet tona që duhet të japin kontributin e tyre në fushën e legjislacionit, një premisë e domosdoshme për një strategji zhvillimi të përbashkët. Duke bërë këto konstatime jam besëplotë se shqiptarët, pasardhësit e Nënë Terezës kudo që jetojnë dhe punojnë, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Serbi apo në Malin e Zi do të dinë të bëjnë më të mirën për gjithçka ata kanë të shenjtë e që si të tillë do të ua lënë trashëgim brezave”, tha Nikolla.

Ajo përmendi historinë e popullit shqiptarë, nga përpjekjet për Pavarësinë e Shqipërisë e deri të lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Pavarësia e Kosovës.

“Vite shënuese të rezistencës kombëtare, vite betejash e demonstratash, vite lufte e lirie të një gjaku që nuk mund të falej, vitet e një populli të ndaluar me mijëra viktima i cili me lëvizjen paqësore të udhëhequr nga Ibrahim Rugova, me heroizmin e UÇK-së dhe Adem Jasharit, dhe heronjve të tjerë të lirisë dhe shtet formimit, emancipuan ndërgjegjen e kontintetit, thyen besëtytnitë e paragjykimit, demokratizuan vet Ballkanin quan në vend amanetin e etërve të 28 nëntorit të vitit 1912 duke hequr kështu përgjithmonë ndalesën. Shtetet, shoqëritë dhe burimet tona janë komplementare dhe sa më shumë të koordinohen aq më shpejtë përparon bashkësia shqiptare në Ballkan”, tha kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë”, tha ajo.

Kjo është mbledhja e parë të dy kuvendeve dje po mbahet në Tiranë në prag të shënimit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Komento: