Covid-19, në mesin e katër viktimave edhe një 36 vjeçar, flet drejtori i spitalit në Gjakovë.
Drejtori i Spitalit t Gjakovës, Hilmi Shala ka folur për gjendjen në këtë spital si pasojë e Covid-19. Ai thotë se kanë probleme me furnizim me oksigjen por nuk kanë mungesë të tij. Ai ka dhënë detaje edhe për numrin e pacientëve në këtë spital.
Nga komuna e Gjakovës IKSHPK njoftoi se në 24 orët e fundit kanë humbur jetën katër qytetarë. Në mesin e tyre ishte edhe një 36 vjeçar. Ky i fundit ishte i shtrirë në QKUK.
“Rasti konkret që e prezantoni nuk ka vdekur në spitalin tonë. Ka vdekur në qendrën Klinike Universitare. Ka edhe nga spitali i Gjakovës por kjo mosha e re nuk ka vdekur në spitalin e Gjakovës”, tha Shala.
“Ka edhe me probleme të tjera shëndetësore por të gjithë janë pozitiv, kjo është fakt që virusi po ju përshpejton vdekjen prandaj duhet të kemi kujdes që të gjithë të ruhen nga virusi”, tha Shala.
Ai tha se në këtë spital aktualisht po trajtohen 107 pacientë.
“Aktualisht i kemi 107 pacientë, 60 nga këta janë pozitivë. Pjesa tjetër janë konfirmuar negativ, disa janë duke i pritur rezultatet dhe disa po presin të testohen. 70 prej tyre janë në oksigjenoterapi. Pjesa më e madhe janë stabil, ka edhe në gjendje të rëndë. Ka pacientë të moshave dhe profesioneve të ndryshme”, theksoi ai.