Në mesin e të prangosurve për dallavere me patentë shoferë është edhe daja i kryeministrit Haradinaj

09:22 | 06 July 2019

Daja i kryeministrit Haradinaj në mesin e të prangosurve për dallavere me patentë shoferë.

Eduart Brahimaj është në mesin e të prangosurëve për blerje të patentë shoferëve. Brahimaj, i cili është punësuar rreth një vit me parë në Ministrinë e Infrastrukturës në cilësinë e ekzaminerit, është djali i dajës së kryeministrit Ramush Haradinaj.

Nga dy burime të ndryshme brenda hetuesisë Koha Ditore e ka konfirmuar që Brahimaj është njëri nga të arrestuarit.

Për Brahimajn pati raportuar “Koha Ditore” në marsin e këtij viti. Ai është punësuar në këtë pozitë pasi në Qeveri ka ardhur nipi i tij, kryeministri Ramush Haradinaj.
Megjithatë, atëkohë Brahimaj pati mohuar ndikimin e kryeministrit për punësimin në këtë pozitë. Pati thënë se ka ndjekur trajnime për pozitën që mban.

“Sa i përket procesit të punësimit, kam konkurruar në bazë të konkursit publik të hapur nga MIT,ku kam ndjekur trajnime e procedura për licencim, sikurse i kanë ndjekur dhe i janë nënshtruar të gjithë ata që janë të punësuar në këtë pozitë”, pati thënë ai.

Për nipin e tij, kryeministrin Ramush Haradinaj, pati thënë se nuk beson që e di se daja i është punësuar në ministrinë e udhëhequr nga nënkryetari i AAK-së, ministri Pal Lekaj.

“Sa i përket Haradinajt, ai nuk ka pasë si të ndikojë dhe besoj që as që është i informuar se a punoj apo jo”, pati deklaruar ai.

Komento: