Një figurë me rëndësi pritet ta vizitojë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Presidenti francez Emmanuel Macron pritet të vizitojë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut muajin e ardhshëm.
Në komentin e tij publik pas bllokimit të hapjes së negociatave me këto vende, ai u shpreh se do të takohet me kryeministrat Rama dhe Zaev për të folur për reformat dhe hapat që duhet të bëjnë këto vende.
Me vizitën e tij Macron duket se ka për qëllim t’u dëshmojë Shqipërisë dhe Maqedonisë se perspektiva evropiane e këtyre vendeve është e hapur dhe Franca do t’i ndihmojë për të arritur këtë objektiv.
Një burim diplomatik në Tiranë u shpreh për Exit.al se ende nuk ka detaje për këtë vizitë, pasi ajo është vendosur së fundmi dhe mbetet ende një premtim në parim.
Burimi diplomatik konfirmoi se si shenjë të mbështetjes së Francës për Shqipërinë, Presidenti Macron ka vendosur hapjen në Tiranë të zyrës të Agjencisë Franceze të Zhvillimit, e cila do të zbatojë ndihmën e Francës për projekte zhvillimi në Shqipëri. Me gjasë, ky hap mund të shënojë rritje të ndihmës franceze, e cila deri tani nuk ka qenë donator i rëndësishëm i Shqipërisë.
Makroni kishte planifikuar ta vizitonte Shqipërinë fillimisht në vjeshtën e vitit 2018, në një turne Ballkanik, por ky turne u anulua. Macroni vizitoi Serbinë më 16 korrik, pas anulimit të Samitit të Parisit në lidhje me negociatat Serbi-Kosovë.
Edhe këtë herë ai zgjodhi të shmangte Shqipërinë.
Duket se reagimi kritik i shumë vendeve evropiane për veton praktike franceze ndaj Shqipërisë dhe veçanërisht ndaj Maqedonisë së Veriut e ka nxitur Macronin që më në fund t’i vizitojë të dy vendet.
Ndërkaq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha sot se ka në agjendë një tjetër komunikim me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, mbi çështjen e negociatave.
“Në ditët në vijim kam një sërë komunikimesh me presidentin e Francës dhe të vendeve të tjera anëtare për të kuptuar ecurinë e mëtejshme të procesit”, deklaroi Rama pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste.
Rama tha se moshapja e negociatave nuk ndryshon asgjë në trajektoren e vendit dhe të qeverisjes.
“Kemi diskutuar edhe për mos marrjen e vendimit të merituar për Shqipërinë dhe natyrisht që kemi rënë dakord që kjo nuk ndryshon asgjë në trajektorën e vendit dhe qeverisjes sonë. Në aspektin praktik jemi të qartë se duhet të vazhdojmë çdo ditë punën, edhe nëse do të kishim marrë një ‘PO’, detyrat janë po ato që janë edhe pa atë ‘PO’, pra të ecim përpara me reformën zgjedhore dhe brenda vitit të ngjisim shkallën e parë duke miratuar në Parlament rekomandimet e OSBE”, tha Rama, raporton Tch.
“Siç e shikoni, dielli ka dalë përsëri, dita vazhdon”, shtoi Rama.
I pyetur mbi kërkesën e kryeopozitarit Lulzim Basha për zgjedhje të parakohshme, Rama tha: “Këtu nuk ka asgjë të re, ata kanë punuar shumë fortë dhe nuk kanë lënë gur pa luajtur për të dështuar procesin. Nuk ia kanë dalë sepse ne kemi arritur të kalojmë pengesën e ngritur në 6 muajt e parë të vitit duke marrë mbështetjen e Gjermanisë”.
Sa i përket reformës zgjedhore, Rama theksoi se do të realizohet me këdo që kërkon të bashkëpunojë, por mazhoranca nuk detyron dot opozitën jashtëparlamentare që të ulet në Komisionin Parlamentar.