Në mungesë kuorumi, dështon seanca e buxhetit të Gjilanit

11:08 | 08 November 2024
ne-mungese-kuorumi,-deshton-seanca-e-buxhetit-te-gjilanit

Në mungesë kuorumi, ka dështuar të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Gjilanit, pasi partitë opozitare LDK dhe PDK nuk kanë qenë prezentë në sallë.

Kryesuesi Kushtrim Kadriu bëri të ditur se me 14 asamblistë të pranishëm nuk ka kuorum për të filluar seancën.

Siç bëhet e ditur në një njoftim të kësaj komune, në seancën e jashtëzakonshme e cila është ftuar nga kryetari i Komunës, Alban Hyseni, ishte paraparë të diskutohej për bartjen e buxhetit dhe miratimin e buxhetit për vitin 2025.

Sipas Hysenit, kjo bllokadë e shkaktuar në Kuvend, qytetarëve u kushtron me rreth 5 milionë euro humbje për qytetarët.

“Po vërtetohet për muaj me radhë se mungon vullneti nga opozita për të aprovuar buxhetin për vitin 2025, dhe përpos kësaj, ka munguar vullneti edhe për aprovimin e tejkalimit të buxhetit, që nënkupton mos humbjen e mjeteve në fund të vitit. Kjo bllokadë e shkaktuar në Kuvend, qytetarëve u kushtron me rreth 5 milionë euro, mjete të cilat do të humbin në vitin 2025”, ka thënë ai.

Pas dështimit të mbledhjes kanë folur edhe asambleisti i VV-së, Ismajl Kurteshi dhe shefja e grupit të këshilltarëve të VV-së, Krenare Latifi Kqiku, të cilët kanë shprehur keqardhje për mospjesëmarrjen e asambleistëve të opozitës (LDK-PDK), duke thënë se në këtë mënyrë po dëmtohen qytetarët e Gjilanit.

Komento: