Në mungesë të trajnerit serb, ja kush po e udhëheq Malin e Zi kundër Kosovës

21:52 | 07 Qershor 2019

Po zhvillohet ndeshja mes Malit të Zi dhe Kosovës.

Mali i Zi është duke u udhëhequr nga Miodrag Dzudovic, ish-përfaqësuesi i saj, pasi trajneri serb Ljubisa Tumbakovic dhe ndihmës trajneri i parë, Sasa Jankovic u tërhoqën pak orë para ndeshjes për shkak të presionit politik nga Beogradi.

Mali i Zi është nikoqir i Kosovës në stadiumin e qytetit në Podgoricë, në ndeshjen e rrethit të tretë të Grupit A kualifikues për Kampionatin Evropian 2020, e cila është duke u zhvilluar nga ora 20:45.

Ekipi kombëtar malazez i është besuar ish-futbollistit të kësaj kombëtareje, Miodrag Dzudovic.

Sipas mediave në Mal të Zi, Tumbakovic nuk do të jetë më trajner i Malit të Zi pasi do të shkarkohet sonte.

Vjesti raporton se Federata e Futbollit e Malit të Zi do të mblidhet sonte pas ndeshjes kundër Kosovës, dhe pas atij takimi pritet ta shkarkojë trajnerin serb.

Kosova është duke udhëhequr 1:0 për momentin falë golit të Milot Rashicës, i cili e shënoi në minutën e 24-të.

Komento: