Shpërthejnë akuzat nga PDK, thonë se Haradinaj i harxhoi rezervat shtetërore dhe iku
Anëtari i Kryesisë së PDK’së në Prishtinë, Bujar Cakolli, ka lëshuar akuza në drejtim të Ramush Haradinajt se ka ikur nga përgjegjësia politike kur ka dhënë dorëheqje. Ka thënë se Shefi i AAK’së i ka harxhuar të gjitha rezervat shetërore dhe pastaj ka vendisur të ikë.
Ky reagim i Cakollit që është edhe Zëvendësministër i Inovacionit ka ardhur pasi Ramush Haradinaj dha dorëheqje pasi tha se ka pranuar ftesë nga Specialja.
“Dorën në zemër, duhet me qenë shumë idiot për me ju gëzu lajmit për shkuarjen e Kryeministrit në Hagë.Ama me fol drejt ka del shpirti, me i harxhu komplet rezervat shtetërore në korrik, e me lëshu qeverinë, nuk është tjetër veq ikje nga përgjegjësia politike!”, ka shkruar Cakolli, në Fb.
Kohëve të fundit, lideri i AAK’së prishi raportet me Liderin e PDK’së, Kadri Veselin, i cili nga Washingtoni tha se Kryeministri i Kosovës po flet me Amerikën sikur me Serbinë. Haradinaj tha se një deklaratë e tillë është servilizëm politik.
Udhëheqësi i partisë së pestë në Kosovë mbeti i vetëm në luftën për të mbrojtur taksën e vendosur kundër Serbisë. Ndërsa, ishte kundër prekjes së kufijve, një temë kjo e përkrahur nga Hashim Thaçi.
Haradinaj ka kërkuar të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe t’i kthehet vendimmarrja popullit. PDK ka mbetur e hutuar nga ky vendim. LDK e Vetëvendosje kanë kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme sikurse edhe PSD e NISMA e Fatmir Limajt.
Presidenti pritet gjatë ditëve të thërras partitë politike për t’u konsultuar për dy opsionet: themelimin e një Qeverie të re ose shkuarjen në zgjedhje.
Praktikisht, ekziston vetëm një opsion pasi askush s’ka numra për të ndërtuar Qeverinë e re, pasi askush s’mund të llogarisë as në votat e Listës Srpska, e cila ka braktisur koalicionin prej vitit të kaluar kur u vendos taksa 100 për qind ndaj produkteve serbe.
Qeveria e Ramush Haradinaj prej kur vendosi taksën mbeti Qeveri e pakicës e mbështetur për disa vendime nga PSD e Shpend Ahmetit.
Ish-Komandanti i UÇK’së për Zonën e Dukagjinit është Kryeministri i gjashtë i Kosovës pas Bajram Rexhepit, Bajram Kosumit, Agim Çekut, Hashim Thaçit e Isa Mustafës.
Ish-Kryeministri Haradinaj kishte udhëhequr Qeverinë e Kosovës edhe një herë për 100 ditë kur ishte detyruar të jepte dorëheqje në mars të vitit 2005 për të shkuar në Tribunalin e Hagës si i akuzuar për krime lufte. Atje ishte shpallur dy herë i pafajshëm.
Asnjëri prej Shefave të Qeverisë prej pasluftës s’e ka përfunduar mandatin kushtetues.
Prej pasluftës janë mbajtur gjashtë palë zgjedhje nacionale.