Në prag të festës së Bajramit, qytetarët e Kosovës po përballen me një rritje të ndjeshme të çmimeve të produkteve bazë.
Kjo rritje ka shkaktuar shqetësim të madh, pasi shumë familje shqetësohen për mundësinë e përballimit të shpenzimeve.
Çmimet e ushqimeve si: mishi, mielli, dhe produktet e tjera të domosdoshme janë rritur, duke i rënduar ekonominë e qytetarëve.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), çaji dhe kafja për një vit janë shtrenjtuar përreth 15%, vajrat dhe yndyrat rreth 10%, uji dhe lëngjet 5.5%, perimet 2.4% dhe buka dhe drithërat 1.8%.
Njohësit e çështjeve ekonomike në Kosovë, kanë kritikuar Qeverinë aktuale për mos mbështetjen e prodhimit vendor dhe me mos reagimin e rritjeve të çmimit, duke thënë se jeta e qytetarit çdo ditë po rëndohet në aspektin ekonomik.
Shahini: Çmimet në Kosovë janë të ndikuara nga tregjet e jashtme, duhet të mbështetet prodhimi vendor
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, në një prononcim për “Front Online” ka folur për ankesat e konsumatorëve për rritjen e vazhdueshme të çmimeve në Kosovë, duke theksuar se ky fenomen është i lidhur ngushtë me varësinë e madhe të vendit nga importet.
Shahini ka theksuar se është e domosdoshme të rritet prodhimi vendor dhe të mbështetet më shumë.
“Çmimet në Kosovë janë vazhdimisht të kritikuara nga konsumatorët. Duhet ta dinë se 90% importojmë dhe varemi nga çmimet importuese se nëse varemi nga tregjet e jashtme ato e tregojnë edhe çmimin e brendshëm. Është e domosdoshme që prodhimi vendor duhet të rritët dhe të mbështetët dhe të konsumohet”, shprehet ai.
Ai shtoi se nuk është fjala për abuzim të çmimeve, por për rritjen e kërkesës dhe mungesën e ofertës, që çon në rritje të çmimeve.
“Institucionet e shtetit duhet më shumë ta mbështesin prodhimtarinë vendore në mënyrë që ne sa më pak të jemi të prekur nga importet dhe inflacionet që vijnë me importin e produkteve. Nuk ka të bëjë me abuzim të çmimeve por rritja e kërkesave dhe mungesë të ofertës”, deklaroi Shahini.
Njohësi i ekonomisë: Çmimet u rritën 30% para festës së Bajramit
Njohësi i çështjeve ekonomike, Arton Muhaxhiri, ka kritikuar rritjen e çmimeve në Kosovë, veçanërisht në prag të festave të Bajramit.
“Rritja e çmimeve në prag të festave, përfshirë Bajramin, nuk është një fenomen i ri, por këtë vit është ndier më shumë se kurrë”, thotë ai.
Sipas tij, çmimet në Kosovë janë rritur mesatarisht me 23% gjatë tre viteve të fundit, ndërsa përpara Festave rritja ka arritur deri në 30%.
Fajin për këtë, sipas Muhaxhirit vjen nga keqmenaxhimi qeveritar.
“Të dhënat tregojnë se në tre vitet e fundit, çmimet në Kosovë janë rritur mesatarisht me 23%, ndërsa në prag të festave rritja ka arritur deri në 30%. Kjo rritje nuk është thjesht rezultat i faktorëve të tregut, por edhe një pasojë e drejtpërdrejtë e keqmenaxhimit qeveritar, tha ai.
Sipas Muhaxhirit, është urgjente që qeveria të ndërmarrë masa konkrete për të stabilizuar tregun dhe për të mbrojtur fuqinë blerëse të qytetarëve, përndryshe rritja e çmimeve do të vazhdojë të rëndojë jetesën e qytetarëve të Kosovës.
“Është detyrë e qeverisë të ndërmarrë masa konkrete për mbrojtjen e konsumatorëve dhe stabilizimin e tregut. Në vend të propagandës për zhvillim ekonomik, qeveria duhet të fokusohet në politika të qarta për fuqizimin e prodhimit vendor, kontrollin e spekulimeve në treg dhe krijimin e një mjedisi ekonomik më të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët”, vlerësoi ai.
Dreshaj: Rritja e çmimeve gjatë Bajramit, pasojë e inflacionit dhe varësisë nga importet
Kryetari i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, Besart Dreshaj, për “Front Online” ka folur lidhur me rritjen e çmimeve gjatë festës së Bajramit, duke e quajtur këtë fenomen të pritshëm.
Ai tha se rritja e çmimeve është pasojë e faktorëve të shumtë ekonomike.
“Rritja e çmimeve gjatë Bajramit është një dukuri e pritshme, siç ishte në vitin 2024, ky fenomen është shoqëruar me një trend të vazhdueshëm të shtrenjtimit të produkteve bazë. Kjo rritje është rezultat i faktorëve ekonomikë të shumtë, si inflacioni, varësia e lartë nga importet dhe kostot në rritje të prodhimit dhe transportit”, u shpreh Dreshaj.
Sipas tij, investimi në sektorët prodhues dhe mbështetja e prodhimit vendor do të ndihmonin në stabilizimin e çmimeve dhe përmirësimin e bilancit tregtar të vendit.
“Duke pasur parasysh deficitin e lartë tregtar, Kosova përballet me sfida të mëdha në stabilizimin e çmimeve. Kjo situatë e bën të domosdoshme fuqizimin e prodhimit vendor dhe reduktimin e varësisë nga importi për të siguruar një treg më të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm për qytetarët”, deklaroi ai.
Sipas ASK-së, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 1,7% në muajin shkurt 2025, krahasuar me muajin shkurt 2024.