Në prag të kolapsit: KEK-ut i bien blloqet, Kosova rrezikon të mbetet pa rrymë e Prishtina pa ngrohje

13:43 | 14 December 2021

Të hënën në seancën e Kuvendit të Kosovës, kryeministri Albin Kurti ngriti alarmin për krizë energjetike, duke përmendur dy faktor kyq, krizën globale e po ashtu potencoi edhe faktin e problemeve në Korporatën Energjetike të Kosovës, duke i justifikuar me telashet si pasojë e pajisjeve të vjetruara.

Por si duket ajo që alarmoi kryeministrin Kurti ishte pikërisht kjo e fundit, që ka të bëjë me telashet e mëdha që janë duke ndodhur në termocentralet e KEK-ut.

Gazeta Infokus duke u thirrur në burime raporton se prodhimi në elektrana është vështirësuar për shkak të mos planifikimit adekuat e që rrjedhimisht ka shkaktuar defekte teknike.

Jashtë prodhimit tashme ka dalë blloku B2 i Termocentralit “Kosova B” i cili ka kapacitete prodhuese prej 250 megavat orë energji elektrike.

Njëkohësisht probleme janë shfaqur edhe në Bllokun B1. Burime të sigurta brenda korporatës kanë thënë se gjasat janë minimale për të vazhduar prodhimi i Bllokut B1. Edhe ky bllok ka kapacitete prej 250 megavate orë energji elektrike.

Kjo situatë sipas burimeve të mediumit, mund të vendosë në kolaps Prishtinën me ngrohje qendrore. Kjo sepse dy këto termocentrale të “Kosova B” furnizojnë me avull për ngrohje Ngrohtoren e Prishtinës.

Gjendjen alarmante e ka paralajmëruar edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli e cila ka thënë se për shkak të kërkesave të rritura për energji dhe çmimeve të larta të importit Kosova është gjendje të jashtëzakonshme.

“Ne kemi pasur një situatë relativisht të mitë, duke qenë se deri nga fillimi i nëntorit jemi mbështetur kryesisht në kapacitetet e tona gjeneruese të KEK-ut dhe këto kanë mjaftuar për ta mbuluar kërkesën vendore. Siç është pritur me ftohjen e motit dhe me rritjen e kërkesës për energji elektrike është rritur edhe kërkesa për import. Çmimi i importit të energjisë elektrike është tejet i lartë, është gjendje e jashtëzakonshme”, ka thënë ajo.

Ajo tha se për këtë ka zhvilluar takime me homologët e saj nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut për mundësinë e bashkëpunimit dhe ndihmës ndaj njëri-tjetrit.

Infokus ka dërguar pyetje në zyrën për informim të KEK-ut por të njëjtit deri në publikimin e këtij teksti nuk kanë kthyer përgjigje.

Komento: