Bastisje në Prishtinë, arrestohen 10 persona – krejt çka u sekuestrua.
Policia e Kosovës, Drejtoria për hetimin e trafikimit me narkotik (DHTN) në Prishtinë, pas hetimeve rreth dy mujore të rastit të koduar me emrin “Përsëritësi”, njofton se dje më datë 01.01.2023 rreth orës 17:15 në rrugën “Vëllezërit Fazliu” në Prishtinë, në koordinim dhe bashkëpunim të plotë me Prokurorinë e Shtetit dhe Gjykatën (GJPP) kompetente, mbështetur edhe nga stacioni policor Veriu në Prishtinë, kanë realizuar një plan taktik policor gjatë të cilit në flagrancë janë ndaluar dhe arrestuar dhjetë persona të dyshuar meshkuj kosovar, të përfshirë në veprime të kundërligjshme.
Gjatë operacionit policor është bastisur një shtëpi banimi në Prishtinë dhe janë kontrolluar pesë automjete, me që rast në cilësi të provave materiale janë sekuestruar dëshmitë si në vijim:
“(96.6) gram substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë – (44.4) gram substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë – (1) armë zjarri- (2) karikator – 17 fishek – (358.8) para kesh (euro) të dyshuara të jenë fituar nga shitja e narkotikëve. – (4) telefona celular – (1) peshore digjitale”, njofton policia.
Pas kompletimit të rastit me vendim të Prokurorit kujdestar, katër nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, kurse të tjerët janë liruar në procedurë të rregull.