Në pritje të dritës jeshile nga Tirana për Nait Hasanin

08:51 | 05 September 2019

Qeveria kërkon pëlqimin e Tiranës për Nait Hasanin.

Një nga vendimet e fundit të legjislaturës së gjashtë, që është shpërndarë më 22 gusht, ka qenë propozimi i Nait Hasanit për ambasador në Shqipëri. Hasani ishte deputet i Partisë Demokratike, të cilën e drejton tashmë ish-kryeparlamentari Kadri Veseli.

Këtë të hënë, pajtueshmërinë për kandidaturën e ka dhënë edhe presidenti Hashim Thaçi, i cili përpara se të vendosej në majë të pushtetit drejtonte PDK-në, shkruan sot Koha Ditore. Kjo, menjëherë e ka aktivizuar Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ky institucion ka kërkuar nga Tirana zyrtare që ta japë pëlqimin për ambasadorin.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës shpreh komplimentet e saj Ministrisë për Evropë dhe Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe ka nderin që të njoftoj se presidenti i Republikës së Kosovës, SH.T.Z. Hashim Thaçi, propozon kandidaturën dhe kërkon pëlqimin për z. Nait Hasanin si ambasador të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë në Republikën e Shqipërisë, me rezidencë në Tiranë”, thuhet në Notën Verbale që mban datën 2 shtator, një kopje të së cilës e ka siguruar “Koha Ditore”.

Bashkëlidhur me të, është përcjellë edhe CV-ja e Hasanit. Është fare e shkurtër.

Komento: