
Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr. Fatmir Krasniqi” në Fushë Kosovë është vendosur dhe funksionalizuar ekrani informues, përmes të cilit qytetarët mund të informohen në kohë reale për listën e barnave esenciale që gjenden në stok në barnatore.
Ky sistem informues u mundëson qytetarëve qasje të drejtpërdrejtë në të dhëna të sakta dhe të verifikueshme mbi disponueshmërinë e barnave esenciale, duke rritur transparencën, llogaridhënien institucionale dhe besimin në shërbimet shëndetësore publike.
Nga Komuna e Fushë Kosovës është bërë e ditur se vendosja e këtij ekrani është pjesë e angazhimeve për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe informimin e drejtë të qytetarëve. Komuna e Fushë Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar të jetë pranë qytetarëve dhe në shërbim të nevojave të tyre në sektorin e shëndetësisë. /Telegrafi/