Klinika e Kirurgjisë Plastike dhe Rekonstruktive e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, ka shënuar përparim të madh sa i përket përkrahjes së grave që janë të diagnostikuara dhe trajtuara me kancer të gjirit.
Në një njoftim të ShSKUK-së në Facebook thuhet se në këtë vit, në këtë klinikë janë operuar 70 gra, duke bërë rikonstruktim të gjirit, përmes operacionit, me përkrahje dhe nga Klinika e Anesteziologjisë dhe profilet e tjera infermierore që poashtu kanë dhënë kontribut të çmuar.
Stafi mjekësor ka përdorur disa opsione për rikonstruksionin e gjirit, duke përfshirë përdorimin e implanteve, transplantimin e indeve të vetë pacientit (si përdorimi i indeve nga barku ose shpina), dhe kombinime të metodave.
“Zgjedhja e teknikës varet nga nevojat dhe preferencat e pacientit, gjendja e indeve pas trajtimeve të mëparshme dhe faktorë të tjerë mjekësorë. Përmes këtyre është arritur suksesi estetik dhe funksional, meqë përmes e konstruksionit modern synohet të sigurohet një pamje natyrale dhe të ruhet ndjeshmëria e lëkurës sa më shumë të jetë e mundur. Një rezultat estetik i kënaqshëm dhe simetria mes gjirit të rikonstruktuar dhe gjirit natyral është një masë e rëndësishme e suksesit. Poashtu, është arritur përmirësimi i cilësisë së jetës, meqë rikonstruksioni i gjirit mund të ndihmojë shumë gra të përballojnë më mirë pasojat psikologjike të mastektomisë ( heqjes së gjirit), duke përmirësuar vetëbesimin dhe mirëqenien emocionale. Përparimet në teknikat kirurgjikale dhe kujdesin post-operativ kanë ulur shkallën e komplikimeve në mënyrë të ndjeshme. Pajisjet e nevojshme dhe materiali janë siguruar nga ana e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës”, thuhet më tej në njoftim.