QKUK-ja në hall me materialet.
Në Klinikën e Biokimisë materiali për bërjen e analizës së vitaminës D shpenzohet brenda dy ditëve, ndërkaq për furnizim të radhës duhet pritur deri në tri javë.
Kjo po u shkakton problem pacientëve që u rekomandohet bërja e kësaj analize e që nuk kanë mundësi ta bëjnë në laboratorë privatë.
Tringa Shala thotë se një javë rresht ka ardhur nga Peja në këtë klinikë, por nuk ka mundur ta bëjë këtë analizë.
”Kjo po na kushton neve sepse dihet sa larg është Peja edhe sa herë po vij nuk po ka. Domethënë shpenzime kot, po duhet me u kthy prapë në shtëpi pa bërë asgjë. Kjo analizë privat po kushton 20 euro dhe është shumë shtrenjtë krahasuar më këtu në QKUK”, ka thënë ajo.
Të njëjtin problem e pati edhe Anila Vrajolli, të cilës mjekët në njërën nga qendrat e mjekësisë familjare në Prishtinë i rekomanduan bërjen e analizës D.
Në Klinikën e Biokimisë në QKUK analiza e vitaminës D bëhet vetëm dy herë gjatë muajit, për shkak të kostos shumë të lartë të materialit. Drejtori i kësaj klinikeje, Shemsi Veseli, tha për Radio Kosovën se vazhdimisht po përballen me mungesë të materialit, për shkak të kërkesës shumë të madhe të pacientëve për bërjen e kësaj analize.
”960 euro kushton materiali që na duhet për kryerjen e vitaminës D, gjithë ky material po shpenzohet për dy ditë dhe pastaj po duhet të presim me javë deri në momentin e furnizimit. Ne kemi bërë kërkesën për materialin e nevojshëm që na duhet për analizën e vitaminës D dhe presim që brenda kësaj jave të furnizohemi me të. Analiza për kryerjen e vitaminës D është shumë e kërkuar. Kemi fluks të madh të pacientëve për ato ditë sa e kemi materialin në dispozicion, sa që nuk po mjafton”, ka thënë Veseli.
Veseli u ka bërë thirrje kolegëve të tij që të mos ua rekomandojnë pacientëve bërjen e analizës së vitaminës D pa pasur nevojë.
”Kur kemi simptomat që kërkohet një diagnozë diferenciale, ajo është në rregull, por vetëm për qejf s’bëhet kjo analizë, sepse s’po mundemi t’i kthejmë pastaj pacientët në shtëpi”, ka thënë ai.
Veseli ka thënë se me këtë çmim, për një paketim të vitaminës D, do të kishin mundur t’i marrin dy apo tri paketime me material shpenzues që nevojiten për analizën e gjëndrës tiroide. Edhe pse në vendin tonë nuk mungojnë rrezet e diellit, dhe Kosova nuk njihet si ndonjë vend me vranësira të shumta, kohëve të fundit shumë qytetarë vuajnë nga mungesa e vitaminës D. Ndryshe mungesa e kësaj vitamine mund të çojë në sëmundjen e rakitit te fëmijët dhe në zbutje të eshtrave ose osteoporozë te të rriturit.