Në republikat e ish-Jugosllavisë gjenden Rreth 180 prona të Kosovës

15:41 | 30 Dhjetor 2019

Rreth 180 prona të Kosovës, në republikat e ish-Jugosllavisë.

Në kuadër të procesit të privatizimit, i cili ka filluar rreth 16 vjet më parë nga ish-Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM), e pasuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), janë nënshkruar 1800 kontrata të privatizimit, por sfidë në këtë proces mbetet privatizimi i aseteve të ndërmarrjeve shoqërore që gjenden jashtë territorit të Kosovës.

Rreth 180 prona të ndërmarrjeve shoqërore, sipas AKP-së, gjenden jashtë territorit të Kosovës, konkretisht në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Sipas një dokumenti të publikuar vite më parë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, figuron se vetëm në territorin e Serbisë gjenden 110 prona të ndërmarrjeve shoqërore, në Mal të Zi janë 36, në Bosnje e Hercegovinë 18, kurse prona të tjera të Kosovës ndodhen edhe në Kroaci, Maqedoni të Veriut dhe në Slloveni.

Në bazë të dokumentit të kësaj agjencie, shumica e pronave janë lokale dhe zyra.

Avni Ajdini, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), njëherësh anëtar i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se zyrtarët juridikë të agjencisë janë duke u marrë me këtë çështje, por që deri më tani nuk ka asgjë konkrete. Ai thotë se këto asete i takojnë Republikës së Kosovës.

“Janë juristët e AKP-së që po punojnë në këtë drejtim. Kanë bërë padi në arbritazh dhe besojmë se astet që gjenden jashtë territorit të Kosovës do të kthehen. Ato aktualisht janë duke mos u shfrytëzuar nga dikush tjetër”, tha Ajdini.

Zyrtarë të AKP-së disa herë kanë pohuar se në bashkëpunim me institucionet kompetente në Kosovë dhe në vendet ku gjenden asetet, janë duke u bërë përpjekje për zgjidhjen e problemit të këtyre aseteve.

Në bazë të Ligjit për AKP-në, këto prona duhet të administrohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP). I njëjti ligj, sipas deklaratave të zyrtarëve të qeverisë në Prishtinë, parasheh që shtetet në të cilat ndodhet pronat përkatëse, nuk kanë të drejtë t’i përvetësojë ato.

Vetëm ndërmarrja shoqërore “Jatex” nga Peja, sipas të dhënave të AKP-së, ka 34 objekte afariste në republikat e ish-Jugosllavisë. Pas kësaj, vjen “Trepça” me 17 prona, pastaj “Eximkos”, ndërmarrja “Marketing-Export” e të tjera.

Komento: