Në seancën dëgjimore, kryegjykatësja e Kushtetueses e merr në pyetje përfaqësuesin e LVV-së

12:04 | 02 Dhjetor 2020

Kryegjykatësja e Kushtetueses e merr në pyetje përfaqësuesin e LVV-së në seancën dëgjimore.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizaj ia ka parashtruar dy pyetje përfaqësuesit të Lëvizjes Vetëvendosje, Blerim Sallahut, në seancën dëgjimore lidhur me ligjshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi në ditën e votimit të Qeverisë Hoti, raporton Gazeta Express..

Rama-Hajrizaj e ka pyetur Sallahur për mandatin e deputetit Arifi dhe për njoftimin e marrë lidhur me këtë dënim.

“A konsideroni ju se cenohet siguria juridike dhe integriteti kushtetues i Kuvendit nëse përcaktues për për të vendosur se një deputet e ka humbur mandatin merret njoftimi i Këshillit Gjyqësor për Kuvendin se një deputet është dënuar për vepër penale”, ka pyetur kryetarja e GJK-së.

“Nëse Kuvendi nuk do të kërkonte informatë lidhur me dënimin e deputetit në fjalë apo nëse KGJK-ja nuk e njofton Kuvendin vetëvetiu që një deputet është dënuar për një vepër penale, a nënkupton kjo për ju që mandati i deputetit është i vlefshëm për t’u ushtruar”, ka qenë pyetja tjetër e kryetares së Kushtetueses.

Në përgjigjje, përfaqësuesi i LVV-së ka thënë se në momentin që është votuar Qeveria, ai vendim është kundërkushtetues.

“Në momentin që kemi marrë informacion prej Kuvendit, për ne në atë moment ka filluar prodhimi i pasojave të marrjes së mandatit të z.Arifi. Momentin që deputeti tashmë i dënuar e ushtron mandatin e caktuar, ai e shkel interesin publik. Pesha e interesit publik i mbivendoset sigurisë juridike”, ka thënë Sallahu.

Ndërkaq për pyetjen e dytë, Sallahu tha se nuk kanë pasur mundësi të informohen ndryshe se Arifi është i dënuar.

“Nëse ne nuk kemi asnjë informacion për këtë, për ne ka qenë e pamundur me ditë se cili është deputet, sepse Kvuendi nuk ka mekanizëm që i verifikon se një deputet a është i dënuar apo jo”, ka thënë Sallahu.

Komento: