Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë në prag të festimit të 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.
Në adresimin e tij, kryeministri tha se “Nuk janë të rralla rastet që mblidhemi në këtë datë, këtu në ngjarjen e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Prishtinë, për të përkujtuar ngjarjen tonë më të madhe, atë të themelimit të subjektivitetit të kombit shqiptar. E megjithatë, ky tubim ka gjithnjë të njëjtin emocion”.
“Ishte koha e sakrificave dhe dhimbjeve të mëdha për shqiptarët në të dy anët e kufirit”, u shpreh ai.
Së dyti, përmendi Aktin e Pavarësisë që u nënshkrua nga patriotët në 28 Nëntorin e motit 1912, që doli se nuk ishte thjesht akt, por program që do të shtrihej në një shekull e më shumë.
“U nënshkrua pra një program që, për me u përfytyru dhe për me u realizu, kërkonte ndihmën e një projekti tjetër, atë të Sami Frashërit në ‘Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet’. Që e paraprinte dhe vijon ta pasojë me dimensionin aktual të tij”, shtoi ai.
Në përfundim të fjalës së tij, kryeministri i ftoi të gjithë që ta festojmë e ta përkujtojmë këtë datë me idenë se Ismail bej Vlora dhe patriotët na shohin neve nga e ardhmja dhe presin që ne ta realizojmë sa më drejt e sa më mirë e sa më mbarë atë udhë që na e kanë përcaktuar me ngritjen e flamurit në Vlorë.
“Rilindasit tanë, janë në të kaluarën tonë dhe na shikojnë nga e ardhmja jonë. Në të kaluarën e tyre e kishim Skënderbeun, e në të ardhmen Adem Jasharin. Dhe pikërisht, qenia e jonë e përbashkët, në të tashmen, i bën ata të jenë e kaluara e jonë e përbashkët, dhe njëkohësisht e ardhmja që na pret të bashkuar”, përfundoi ai.
Urimin për Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, kryeministri Kurti e shoqëroi edhe me urimin për përvjetorin e 15-të të Shqipërisë në NATO, dhe hapjen e negociatave në rrugën e pandalshme drejt Bashkimit Evropian.