Në Shqipëri sot “fillon” vera

10:16 | 14 March 2022

14 marsi është një ditë festive e veçantë në Shqipëri, e cila nuk festohet në asnjë vend tjetër të botës. Quhet “Dita e Verës” edhe pse festohet ardhja e stinës së Pranverës.

Dita e Verës është një festë me origjinë të lashtë. Festimi kryhet në nderim të natyrës së bukur shqiptare dhe bimësisë që merr jetë në këtë datë.

Tashme kjo festë është bërë edhe ditë kombëtare pushimi. Shenja dalluese e këtij festimi është gatimi i ballokumeve. Ndërsa ne disa vende te tjera Ditën e Verës ndizeshin zjarre purifikues e për t’i dhënë forcë diellit në oborr e në kopshte.

Nga gratë bëheshin rite magjike e kundër qenieve të tjera dëmtuese, grabitëse. Ndonëse kjo ditë vazhdon të ruhet dhe festohet madhërishëm në qytetin e lashte te Elbasanit, ajo është festë e të gjithë shqiptarëve.

Më 13 mars njerëzit marrin një tufë të vogël bari të njomë bashkë me rrënjët dhe dheun, që ta kenë në mëngjesin e datës 14 mars në shtëpi. Ky zakon i lashtë ruhet dhe festohet jo vetëm në Elbasan por edhe ne vendet e tjera.

Dita e Verës ishte dita e fillimit të vitit sipas kalendarit shumë të lashtë të shqiptarëve, pra një ditë që kremtohej shumë shekuj para se të lindte krishterimi.

Ajo kremtohej me 1 mars të kalendarit Julian, ditën e parë të vitit të ri (sipas kalendarit Gregorian, “14 mars”). Ajo ishte një festë mbarëshqiptare, që kremtohej si në Veri edhe në Jug, por me nuanca të ndryshme, sipas krahinave.

Komento: