
Nenad Rashkoviq, serb nga veriu i Kosovës, ka pretenduar se gjatë kontrollit të pronës së tij, zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë ushtruar dhunë ndaj tij.
Megjithatë, burimeve të Kanal10 brenda organeve të sigurisë, kanë thënë se kontrolli në pronën e Rashkoviqit lidhet me dyshime të tjera që po hetohen nga autoritetet.
Burimet bëjnë të ditur se ekzistojnë dyshime se Rashkoviq mund të ketë fshehur një armë që dyshohet se është përdorur në vrasjen e shqiptarëve në Kalludër dhe Jabukë gjatë luftës së vitit 1999.
Sipas këtyre burimeve, bëhet fjalë për një kallashnikov, ndërsa autoritetet po hetojnë nëse kjo armë mund të ketë lidhje me krimet e luftës që po hetohen aktualisht në këtë zonë.
Ndërkohë, gjatë kontrollit të zhvilluar të martën në pronën e Rashkoviqit, Policia e Kosovës ka gjetur një tjetër armë, një pushkë joautomatike.
Shtëpia e tij ndodhet në afërsi të dy lokacioneve ku, ditëve të fundit, janë zbuluar mbetje mortore që dyshohet se lidhen me krimet e luftës në Kalludër të Vogël dhe Jabukë.
Sipas të dhënave të siguruara nga Dukagjini, prona e Rashkoviqit ndodhet rreth 800 metra larg njërit prej lokacioneve ku dyshohet se janë fshehur trupat e shqiptarëve të ekzekutuar gjatë luftës.
Burimet bëjnë të ditur gjithashtu se gjatë kontrollit policor, zyrtarët kanë hasur në rezistencën e Rashkoviqit.
Zhvillimet e fundit në këtë zonë lidhen me hetimet për një nga rastet më të rënda të krimeve të luftës në veri të Kosovës.
Pas arrestimit të Momir Jakshiqit dhe Miljko Bivasit, të cilët dyshohen se kanë qenë pjesë e strukturave të “Mbrojtjes Territoriale”, hetuesit kanë arritur të lokalizojnë një zonë në Kalludër të Vogël, ku dyshohet se janë fshehur trupat e shqiptarëve të vrarë në vitin 1999.
Dy të arrestuarit dyshohet se kanë pasur role të ndryshme në këto struktura, njëri si pjesëtar dhe tjetri si komandant.
Pas arrestimeve, ekipet për hetimin e krimeve të luftës, së bashku me ekspertët forenzikë, kanë nisur kërkimet në zonën e dyshuar për varrezë masive.
Në këtë lokacion dyshohet se janë varrosur 23 anëtarë të të ashtuquajturit “Grupi i Intelektualëve” nga Mitrovica, të cilët ishin zhdukur më 19 prill 1999, derisa po udhëtonin në drejtim të Malit të Zi.
Hetimet për këtë rast po zhvillohen në disa lokacione në veri të Kosovës.
Më poshtë mund të shihni lokacionet./Gazeta10
