Në Siri ka ende luftëtarë shqiptarë
“Haxhi”, “Oj Sarë” , “ku o Sara”, janë fjalët shqip që dëgjohen trishtueshëm në një kamp të izoluar në Siri. Aty janë strehuar të afërm të luftëtarëve të ISIS’it, e një video e publikuar nga The New York Times kapen fëmijë teksa flasin shqip.
Nuk dihet se cili është fati i fëmijëve i kampeve të zeza, e as nëse institucionet kanë plan t’i kthejnë.
ANë një kamp në veri të Sirisë po strehon të afërmit e luftëtarëve famëkeq të ISIS’it, pas humbjes që pësoi para disa javësh i ashtuquajturi kalifat, i njohur për krime dhe terror.
Ky është një vend i izoluar i quajtur Al Hol, i rrethuar me rojtarë të armatosur. Aty strehohen gratë, fëmijët dhe jetimët e luftëtarëve të ISIS’it.
Brenda këtij kampit, në një video të publikuar nga mediat perëndimore, dëgjohen dy fëmijë që flasin shqip, që sipas të gjitha gjasave i takojnë luftëtarëve të trojeve shqiptare që kishin marrë pjesë në ato luftime. Njëri prej tyre shihet në pamjet e publikuara nga prestigjiozja amerikane The New York Times, shkruan Expres.
Fëmija i parë, në këtë video, thërret emra si Haxhi e Sara, ndërsa një zë tjetër i një fëmije të dytë dëgjohet në sfond duke pyetur se “ku është Sara”.
Në institucionet e Kosovës askush nuk përgjigjet se a kanë ndonjë plan për të kthyer fëmijët dhe gratë kosovare të ngujuara në kampe të Sirisë.
Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit të Punëve të Jashtme, thotë se kjo ministri është e informuar se ka kosovarë, por nuk ka treguar nëse MPJ planifikon t’i kthejë ata.
As në Zyrën e Kryeministrit nuk dëshiron të komentojnë asgjë rreth kësaj teme.
Në këtë zonë deri në dhjetor kanë qëndruar rreth 9 mijë persona, mirëpo me thellimin e humbjeve të ISIS’it dhe me ngushtimin e zonave të tyre, aty numri ka shkruar në 72 mijë javën e kaluar. Mirëpo nëntë mijë prej tyre janë qytetarë të vendeve jashtë Sirisë.
Të dhënat e fundit të publikuara në media tregojnë se më shumë se 150 burra, gra dhe fëmijë nga Kosova ende janë në vatrat e luftës, por që asnjë shtet nuk dëshiron t’i mbajë.
Ndërsa janë edhe 60 fëmijë të tjerë të cilët kanë lindur në vitet e fundit dhe të cilët së paku njërin nga prindërit e kanë me shtetësi të Kosovës.
Të kthehemi sërish te “kampi i Sarës dhe Haxhisë”: NYT raportoi se aty nuk kanë mjaftueshëm ujë e ushqim, ndërsa disa prej shteteve si Franca, Rusia e Çeçenia i kanë nxjerrë qytetarët e vet nga ky kamp. Të tjerat vende nuk duan t’i rikthejnë këto gratë, fëmijët, e jetimet.
Aty gjenden vetëm gratë e fëmijët që nuk i pranojnë shtetet e tyre dhe më nuk kanë më vend të tyre për të jetuar.
Zyra e Kryeministrit nuk jep detaje se çka specifikisht planifikohet të bëhet me fëmijët dhe gratë që tashmë janë në Siri dhe a do të kthehen ata. Megjithatë përmenden hartimi i dokumentëve për rehabilitim të të gjithë atyre që në një mënyrë ose tjetrën u përfshinë në luftën e Sirisë.
“Institucionet e Republikës së Kosovës kanë hartuar dokumente dhe kanë ngritur mekanizma për rehabilitimin e personave të radikalizuar, luftëtarëve të huaj dhe familjet e tyre”, thuhet në një përgjigje të Zyrës së Kryeministrit për Gazetën Express.
“Si pjesë e koalicionit global kundër ISIS-it, Republika e Kosovës ka dëshmuar të jetë partner i besueshëm, duke dhënë kontribut të çmuar në arritjen e objektivave të këtij koalicioni”.
Siria po hyn në vitin e nëntë të luftës civile, ndërsa Shtet Islamik (ISIS) po e shënon fundin e tij. Lufta nisi dhe po përfundon me Bashar Al-Assadin që nuk u dorëzoi asnjëherë kreun e shtetit tashmë të shkatërruar.