Në Suharekë arsimtares nuk i lejohet të jap mësim me shami

23:30 | 01 Shtator 2022

Shamia vazhdon të jetë ende temë e diskutimit.

Këshilli Drejtues i Shkollës “Flamuri i Arbrit” në Suharekë, ka vendosur që arsimtares së matematikës, Remzie Lezit, të mos i lejohet ushtrimi i profesionit me uniformë fetare, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Vendimi i kësaj shkolle është publikuar nga avokati Muhamet Mujaj.

“Duke u mbështetur në UA NR 03/2016, neni 3 pika 7, që ndalon bartjen e uniformës fetare, i gjithë Këshilli unanimisht vendosi, që nuk i lejohet arsimtares së matematikës, z. Remzie Lezi të ushtrojë profesionin e mësuesisë në shkollën tonë me uniformë fetare”, thuhet në dokument.

Për lejimin e shamisë në shkolla, para një muaji ishte zhvilluar edhe një fushatë në rrjete sociale.

Kryeministri Albin Kurti, në një konferencë për media e kishte shprehur qëndrimin e tij në lidhje me fushatën e nisur kundër ndalimit të shamisë në shkollat e mesme.

Ai kishte thënë se shamia duhet të lejohet në institucionet publike e edhe në shkolla, por jo nën moshën 16-vjeçare.

Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, kishte thënë se udhëzimi administrativ që e ndalon bartjen e shamisë në shkolla nuk do të ndryshojë.

Komento: