Në vetëm pak orë, 100 të vdekur nga koronavirusi në Nju Jork

19:13 | 26 March 2020

Koronavirusi është përhapur në shumë vende të botës me numër të madh të të prekurve.

Nju Jorku po kthehet në një epiqendër të madhe të koronavirusit në SHBA.

Të dhënat e fundit të bëra publike nga Guvernatori Andrew Cuomo saktësojnë se janë 37 mijë e 257 personat e prekur nga COVID-10 vetëm në këtë shtet.
Numri i totalit të infektuarve është rritur me mbi 7 mijë paciente të rinj vetëm në 24 orët e fundit.

Ndërkohë numri i viktimave ka shkuar 385 vetëm në Nju Jork, ose rreth 100 të vdekur më shumë vetëm në harkun kohor të pak orëve.

Kryebashkiaku Bill de Blasio parashikon se gjysma e New York-ut do të infektohet nga koronavirusi.

Alarmi për këtë shtet është i madh nga autoritetet shëndetësore amerikane të cilët i tremben një situatë si në Lombardi ku shëndetësia ka shkuar drejt kolapsit.

Ndërkohë në SHBA, në total numri i viktimave i ka kaluar tashmë 1 mijë.

Në SHBA është miratuar plani me 2 trilionë dollarë për të ndihmuar ekonominë e vendit, teksa qendrat industriale, si Nju Jorku e Los Anxhelosi, u kanë kërkuar banorëve që të mos dalin nga shtëpitë teksa shifrat e të infektuarve rriten me shpejtësi të madhe.

SHBA-të priten që shumë shpejt të jenë qendra botërore e pandemisë.

Drejtori i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ngre alarmin se koronavirusi kërcënon të gjithë njerëzimin.

Ai thotë se vendet duhet të bashkëpunojnë për ta luftuar virusin edhe në vendet e varfra, ku të infektuarit e të vdekurit mund të shkojnë në miliona, nëse nuk tregohet solidaritet dhe bashkëpunim nga e gjithë bota.

OKB ka nisur një plan me 2 miliardë dollarë për të krijuar një përgjigje humanitare në vendet e varfra, por Guterres bën thirrje se për këtë duhen triliona, ndaj u kërkon vendeve të shfaqin solidaritet.

Për sa i përket ekonomisë, agjencia e vlerësimeve “Moody’s” parashikon recesion për 20 vendet më të industrializuara, ndërkohë që tregjet e bursës vazhdojne te kene shifra negative.

Komento: