Në vitin 2020, 91 gra shtatzëna u infektuan me Covid-19

21:26 | 08 February 2021

Në 2020-ën, 91 gra shtatzëna u infektuan me Covid-19.

Viti 2020 shënoi më pak lindje në Kosovë dhe më shumë raste të pacientëve të prekur nga kanceri

Përgjatë vitit që lamë pas, në Klinikën Gjinekologjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë regjistruar 996 raste më pak të lindjes sesa në vitin 2019.

Frika nga pasojat që mund të sillte ky virus bëri që çiftet të kenë një qasje frenuese në planifikimin familjar.

Nga marsi kur u konfirmua rasti i parë me virus, deri në dhjetor të vitit të kaluar, 91 gra shtatzëna janë infektuar me Covid-19, ku nuk munguan edhe fatalitetet.

Gjatë kësaj periudhe, u regjistruan 8.465 lindje ose 996 më pak sesa në vitin 2019.

“Numri i përgjithshëm i lindjeve deri në gjysmën e dhjetorit është 8465 lindje. Në vitin 2019 i kemi pasur 9 mijë e 461 lindje”, u shpreh Jakup Ismajli, drejtor i Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK.

Në anën tjetër, krahas Covid-19, për kosovarët, përhapja e kancerit është një problem tjetër.

Vetëm në vitin 2020, në vend u evidentuan mbi 1300 raste të të prekurve nga kjo sëmundje.

“Një mesatare e vizitave ditore në Klinikën e Onkologjisë është deri në 230 pacientë brenda ditës në të dyja repartet, kimioterapi dhe radioterapi. Rastet e reja të shënuara në vitin 2020 ishin 1336. Këto janë raste të nxjerra nga Klinika e Onkologjisë duke mos përfshirë rastet, të cilat i ka në dispozicion IKSHPK, ku hyjnë rastet që trajtohen jashtë vendit dhe ato në klinika private”, deklaroi Vildane Goga, drejtoresha e Klinikës së Onkologjisë

Pandemia dhe aparatura e vjetër ishin disa nga vështirësitë me të cilat kjo klinikë është ballafaquar vitin e kaluar.

Në repartin e radioterapisë janë ofruar mbi 18 mijë e 400 shërbime dhe në kimioterapi 200 mijë e 12 shërbime.

Komento: