Në zgjedhjet parlamentare në Rusi po prin partia e Putinit

23:42 | 19 September 2021

Partia e Putinit po prin në zgjedhjet parlamentare në Rusi.

Rezultatet fillestare të zgjedhjeve parlamentare në Rusi tregojnë se partia e përkrahur nga Kremlini, Rusia e Bashkuar, është në rrugë për të shënuar fitore bindëse, pas tri ditëve të procesit të votimit, që është përcjellë me parregullsi dhe dyshime për mbushje të kutive të votimit.

Komisioni Qendror Zgjedhor ka thënë se pas pothuajse 15 për qind të votave të numëruara, Rusia e Bashkuar, e cila përkrah fort presidentin rus, Vladimir Putin, ka fituar mbi 41 për qind të votave, e përcjellë nga Partia Komuniste me rreth 24 për qind dhe Partia nacionaliste Liberal-Demokratike, me rreth 9 për qind të votave.

Rezultatet e votave elektronike nuk janë bërë ende të ditura.

Disa sondazhe të kryera nga INSOMAR, kanë parashikuar se partia Rusia e Bashkuar do të fitojë 45.2 për qind të votave, Komunistët rreth 21 për qind dhe Partia Liberal-Demokratike rreth 8.7 për qind.

Procesi zgjedhor është përcjellë me mungesë të prezencës opozitare, pasi autoritetet i kanë shpallur ekstremiste, organizatat e lidhura me liderin e burgosur opozitar, Aleksei Navalny.

Për shkak të sistemit të votimit të partisë, të kombinuar me mandate të veçanta në distrikte, ende nuk është bërë e qartë si përkthehet rezultati në shpërndarjen e ulëseve në parlament.

Rusia e Bashkuar, që aktualisht ka 334 ulëse në parlamentin me 450 të tilla, është duke synuar të fitojë shumicë bindëse në legjislaturën e re, çka më pas i mundëson ndryshimin e kushtetutës.

Mirëpo sondazhet e pavarura tregojnë se shkalla e përkrahjes për këtë parti është në nivelet më të ulëta, prej themelimit të partisë dy dekada më parë.

Në zgjedhjet e fundit kombëtare, të mbajtura më 2016, Rusia e Bashkuar ka fituar mbi 54 për qind të votave.

Komento: