
Një grua e moshuar dhe djali i saj janë gjetur të pajetë në një apartament në qytetin gjerman Geretsried.
Policia dyshon se bëhet fjalë për një vepër penale dhe ka nisur hetimet për vrasje.
Ngjarja është zbuluar të martën rreth orës 11:10, pasi një fqinj ka njoftuar policinë për disa gjurmë të dyshimta pranë një banese në rrugën Konigsberger Weg, raportojnë mediat gjermane.
Kur mbërritën në vendngjarje, efektivët gjetën derën e apartamentit të hapur. Brenda banesës u zbuluan dy persona pa shenja jete.
Një mjeke urgjence, e cila u thirr menjëherë në vendngjarje, konstatoi vdekjen e tyre.
Policia dyshon për vrasjeZëdhënësi i policisë, Michael Spessa, konfirmoi se hetuesit dyshojnë për një akt dhune. Për këtë arsye, rasti po hetohet si vepër penale e vrasjes.
Deri tani nuk ka të dhëna të konfirmuara mbi mënyrën se si ka ndodhur ngjarja apo motivin e mundshëm.
Pas zbulimit të dy viktimave, në zonë u zhvillua një operacion i madh policor. Ekspertët e kriminalistikës, të veshur me pajisje mbrojtëse, kryen ekzaminime dhe siguruan prova në banesë dhe në zonën përreth.
Sipas policisë, bazuar në të dhënat e deritanishme, nuk ka pasur rrezik për banorët e tjerë të zonës.Dyshohet për një person nga rrethi familjar
Agjencia gjermane e lajmeve DPA, duke iu referuar burimeve të sigurisë, raportoi se hetuesit kanë identifikuar një person të dyshuar.
Sipas raportimit, bëhet fjalë për një person nga rrethi familjar i dy viktimave.Po ashtu, sipas këtyre burimeve, personi në fjalë nuk përbën më rrezik.
Policia nuk i ka konfirmuar zyrtarisht këto informacione. Zëdhënësi Michael Spessa deklaroi se nuk mund ta konfirmonte dhe as ta mohonte raportimin.Policia kërkon dëshmitarë
Hetuesit u kanë bërë thirrje të gjithë personave që mund të kenë vërejtur diçka të dyshimtë në zonën e Konigsberger Weg që nga mbrëmja e së hënës, të kontaktojnë me policinë.
Edhe detaje që në pamje të parë mund të duken të parëndësishme mund të jenë të rëndësishme për zbardhjen e ngjarjes.
Hetimet për vdekjen e dy personave vijojnë.
Policia ende nuk ka bërë publike të dhëna të tjera mbi rrethanat e ngjarjes, motivin e mundshëm apo identitetin e personit të dyshuar.