
Nënkryetari i PDK-së në Malishevë, Halit Zogaj, për FrontOnline e sheh sa emergjente por edhe si top prioritet problemin e mungesës së ujit të pijes në Komunën e Malishevës.
‘’Situata me ujin e pijshëm në Malishevë, aq sa është emergjente po aq është dashur të jetë edhe top prioritet i qeverisjes komunale, si një nga gjërat elementare për qytetarin dhe se jemi në vitin 2024 e ku akoma bëhet temë uji i pijshëm që është dashur të ishte zgjidhur nga qeverisja e Nismës e cila e ka pasur premtim në qeverisjen e saj’’ thotë ai.
Zogaj, thotë se më shumë se gjysma e fshatrave nuk kanë ujë të pijshëm dhe se vetë lokalet afariste janë paralizuar me mungesën e ujit të pijshëm.
‘’Më shumë se gjysma e fshatrave nuk kanë qasje në ujë të pijshëm, madje edhe vetë lokalet afariste janë të paralizuara nga mungesa e ujit të pijshëm’’ shprehet ai.
Nënkryetari i PDK-së, thotë se kjo do të mund të përfundonte si çështje gjatë qeverisjeve të kaluara qendrore, kur në to kanë qenë udhëheqësit e NISMA-s.
‘’Sikur ata ta kishin prioritet qytetarin për të siguruar gjërat elementare, si përshëmbull ujin e pijes, do ta kishin përfunduar në kohën kur ka qenë në qeverisje qendrore, ku e kanë pasur zëvendëskryeministrin, kryetarin e Nismës dhe tre ministra në dikastere qeverisëse’’ potencon Zogaj.