Nënkryetari i PDK-së uron VV-në për fitore: Uroj që të përmbushen pritjet e qytetarëve

17:15 | 08 Qershor 2026
nenkryetari-i-pdk-se-uron-vv-ne-per-fitore:-uroj-qe-te-permbushen-pritjet-e-qytetareve

Nënkryetari i PDK-së dhe kryetari i Ferizajt, Agim Aliu e ka uruar Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren në zgjedhjet parlamentare.

Ai shkroi në një postim në Facebook për procesin zgjedhor që tha se ishte “i qetë, demokratik e në shërbim të demokracisë.

“Tashmë kur Komisioni Qendror Zgjedhor veçse ka përmbyllur e publikuar rezultatet preliminare për zgjedhjet e 7 Qershorit, uroj subjektin politik fitues të këtyre zgjedhjeve – Lëvizjen Vetëvendosje!, duke uruar që sa më shpejt të kemi institucione funksionale dhe në shërbim të qytetarëve. Një proces zgjedhor i qetë, demokratik e në shërbim të demokracisë”, shkroi ai.

Pasi i falënderoi strukturat, aktivistët dhe mbështetësit e PDK-së, Aliu uroi që të përmbushen pritjet e qytetarëve.

“Falënderoj strukturat, aktivistët e mbështetësit e Partisë Demokratike të Kosovës, për angazhimin, përpjekjet e pandalshme e punën e palodhshme për të fuqizuar familjen tonë politike. Uroj që përfundimi i procesit zgjedhor dhe certifikimi i tij, të reflektoj në përmbushjen e pritjeve të qytetarëve dhe angazhim në dobi të ecjes përpara të vendit”, shkroi ai.

Komento: