Nënkryetari i Prishtinës pas ndalimit të punimeve nga MKRS: Do të ulemi me ta, shpresojmë që nuk ka tendencë politike, e kemi gjithë dokumentacionin

17:38 | 08 November 2024
nenkryetari-i-prishtines-pas-ndalimit-te-punimeve-nga-mkrs:-do-te-ulemi-me-ta,-shpresojme-qe-nuk-ka-tendence-politike,-e-kemi-gjithe-dokumentacionin

Vetëm dy ditë zgjatën punimet nga ana e Komunës së Prishtinës për projektin e kryetarit të Prishtinës, Perparim Rama, e që përfshinte një lidhje mes lagjes Arbëria dhe qendres.

I quajtur si ‘’Ishulli Urban-Arbëri-Pallati i Rinisë”, punimet për të cilin nisën të mërkurën janë ndaluar këtë të premte nga Ministria e Kulturës e cila drejtohet nga ministri Hajrullah Çeku.

Ministria e Kulturës, kishte vendosur pranë punimeve të këtij projekti, një letër të kuqe me të cilën ndalonte punimet për zhvillimin e këtij projekti.

Se janë ndalur punimet, këtë e ka konfirmuar për FrontOnline, vetë nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, i cili ka thënë se nuk e kanë parë vendimin, por që do të ulën dhe do të diskutojnë me Ministrinë e Kulturës, për këtë çështje.

”Së pari duhet me parë në detaje vendimin dhe pastaj me fillu një komunikim me Ministrinë e Kulturës, edhe me pa si e zgjidhim këtë problem’’ thotë ai.

Zogaj, potencon se nëse ndalimi i punimeve ka ndodhur për çështje politike do të ishte e papranueshme.

‘’Përndryshe nëse e shohim se ka tendenca politike, do tëishte e papranueshme. Shpresojmë shumë që do e zgjidhim këtë problem ose keqkuptim’’ u shpreh ai.

Nënkryetari i Prishtinës, deklaron se si Komunë e Prishtinës, e kanë gjithë projektin dhe dokumentacionin e nevojshëm për atë projekt.

‘’Ne kemi gjithë projektin, e kemi gjithë dokumentacionin dhe do të ecim tutje, sepse nuk ishte dashur të kishte bllokada, por nëse e shohim se ka tendenca politike, kjo do të ishte pa arsyeshme’’ u shpreh nënkryetari Zogaj, për FrontOnline.

Komento: